Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka lansuar thirrjen publike për përkrahjen financiare të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM), në vlerë prej 5 milionë euro.
Qëllimi i këtij subvencioni, sipas MINT, është blerja e makinerive të avancuara prodhuese dhe përpunuese për këto ndërmarrje.
Lansimin e kësaj thirrje e konfirmoi ministrja në detyrë Rozeta Hajdari, në një konferencë për media.
“Qëllimi i skemës së grantit është për blerjen e makinerive është që të ndihmojë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, që të kontribuojnë në rritjen e prodhimit dhe përpunimit, përmes zgjerimit të kapaciteteve” – deklaroi Hajdari më 05.05.2025.
Përmes këtij granti, sipas Hajdarit, synohet edhe nxitja e punësimit me të madhe të punëtorëve në tregun e punës.
Skema e këtij granti është ndarë në tri kategori; në kategorinë e parë janë paraparë dy milionë euro e dedikuar për ndërmarrjet mikro deri me nëntë të punësuar dhe mund të fitojnë deri në 40 mijë euro grant; në kategorinë e dytë janë paraparë 2.5 milionë euro për ndërmarrjet e vogla me 10 deri në 49 të punësuar, vlera maksimale që mund të përfitojnë është deri në 80 mijë euro; në kategorinë e tretë janë paraparë 500 mijë, për ndërmarrjet e mesme me 50 deri në 249 të punësuar.
Tutje, ministrja në detyrë, tha se vlera e këtij granit është rritur në mënyrë të vazhdueshme, pasi që në vitin 2021, siç thotë ajo ky grant ka qenë në vlerë 500 mijë euro.