Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci mori pjesë në panelin e diskutimit me rastin e hapjes së Shkollës Verore mbi Gjininë, Ekonominë dhe Politikat, në Pejë, e organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik, në bashkëpunim me Agjencinë për Barazi Gjinore dhe mbështetur nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).
Ministrja Nagavci e ka vlerësuar të rëndësishme pjesëmarrjen në këtë panel, duke parë edhe programin e kësaj shkolle dhe temat që do të trajtohen nga njerëz profesionistë të fushës, si dhe pjesëmarrjen e të dy gjinive, grave dhe burrave, të cilët po angazhohen në luftimin e pabarazisë dhe nënpërfaqësimit të disa grupeve dhe komuniteteve, si në tregun e punës, ashtu edhe në nivel politik.
Nagavci ka thënë se, si grua pjesëmarrëse në jetën profesionale dhe atë politike, si një nënë dhe bashkëshorte, e cila ballafaqimin me sfidat i ka tejkaluar vet dhe kjo gjë e ka bërë edhe më të fortë për të vazhduar përpara, por edhe si ministre e Arsimit dhe nga pozitat që ka mbajtur me herët, është munduar që në kuadër të kompetencave të ndihmojë me politika dhe vendime, të përdorë masa afirmative për të ndihmuar vajzat dhe gratë.
Me këtë rast, ministrja Nagavci ka përmendur ndarjen e bursave për vajzat që studiojnë në fushat STEM, e cila ka ndikuar në rritjen e numrit të vajzave dhe grave që studiojnë në këto fusha dhe prezantimi e rezultatet e tyre janë shumë të mira.
Shkolla Verore mbi Gjininë, Ekonominë dhe Politikat është program pesëditor që bashkon 25-30 studentë dhe liderë të rinj në një mjedis multietnik nga mosha 18 deri në 29 vjeç, të interesuar për të ngritur njohuritë rreth gjinisë, ekonomisë dhe politikave, duke inkurajuar rrjetëzimin mes pjesëmarrësve me pikëpamje të ndryshme politike.
Nëpërmjet ligjëratave, seminareve dhe diskutimeve, pjesëmarrësit do të njihen me konceptet dhe teoritë kryesore të ekonomisë feministe dhe se si gjinia ndikon në sistemet dhe rezultatet ekonomike.


