Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar pas veprimeve të fundit të serbëve në veri të vendit dhe tërheqjes së tyre nga institucionet e Kosovës e cila tha se vendimet e Qeverisë janë të drejta dhe të ligjshme.
Haxhiu përmes një postimi në Facebook, tha se qëllimi i këtyre vendimeve është mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial prandaj edhe do të duhej të kishte unifikim rreth tyre.
Sipas Haxhiut, janë për keqardhje dhe të turpshme qëndrimet e subjekteve opozitare.
“Fatkeqësisht opozita e sotme apo qeveria e djeshme as atëherë as tash nuk mbështesin vendimet e drejta, madje sot vuajmë pasojat e marrëveshjeve të tyre të dëmshme. Ata duan që t’i lëshojmë pe Serbisë e të përmbushen apetitet e Vuçiqit, disa për shkak të lidhjeve me strukturat kriminale e disa të tjerë e kanë mendjen veç tek pushteti”, tha ajo.


