Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka reaguar me ndaj një statusi të një qytetari duke thënë se do ta paraqes në polici, pasi që sipas saj, ai është tallur me fëmijët e dhunuar.
Korab Blakaj nëpërmjet rrjetit social në facebook ka shkruar , duke thënë se në moshën 14-vjeçare ishte dhunuar seksualisht nga dy gra në një dasmë.
“Në vitin 2000, në moshën 14 vjeqare më kanë dhunuar seksualisht dy gra në një dasëm! Prokuroria i ka lënë të lirë, sot e asaj dite enden të lira duke kërkuar viktimat fatkeqe të radhës! Postimin e bëj publik me leje të Ministres Albulena Haxhiu”, ka shkruar Blakaj duke etiketuar ministren Haxhiu.
Në reagimin e saj, Haxhiu ka paralajmëruar Blakajn se qysh nesër këtë rast do ta raportojë në polici.
“Personat e tillë që tentojnë të tallen me fëmijët e dhunuar, duhet të ndiqen penalisht dhe qysh nesër do ta raportoj në polici!”, ka shkruar ajo.
Paraprakisht, Haxhiu kishte bërë një postim ku tregoi se prindi i një vazje 14-vjeçare ka rrëfyer sot te ajo, se ndaj vajzës së tij në vitin 2021 kishte pasur një tentim dhunim.
“Sot, prindi i një vajze 14 vjeçare, erdhi në Ministrinë e Drejtësisë, na njoftoi që në dhjetor të vitit 2021, ka pasur tentim dhunim të vajzës së tij 14 vjeçare. Ndonëse emri dhe mbiemri i personit të dyshuar dihet, i njëjti nuk është dënuar dhe as nuk është në burg. Personi i dyshuar është i lirë! *Postimi më lartë është bërë me lejen e prindit”, ka shkruar ajo.


