Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë thirrje që të kursehet energjia elektrike për të kaluar një dimër, siç e konsideron ajo, të jashtëzakonshëm për shkak të pushtimit të Rusisë nga Ukraina.
Përmes një konference për shtyp të mërkurën, Rizvanolli bëri të ditur se kanë marrë disa masa emergjente për kursimin e energjisë elektrike, ashtu sikurse shtetet e tjera evropiane.
“Dimri do të jetë i vështirë për të gjithë Evropën. Kjo do të na ndikojë edhe ne. Shtetet si Britania, Zvicra, kanë paraqitur masa të ndryshme për kursime të energjisë. Në këtë aspekt, është mirë të jemi të vetëdijshëm për çfarë na pret. Ne po marrim masat e nevojshme. Aq më pak të importojmë, aq më pak do të ndikohemi. KEK-u po bën përgatitjet që ndërhyrjet në blloqet A dhe B të përfundojnë para dimrit. Duhet të kursejmë energji”, ka thënë Rizvanolli, e cila theksoi se masat i janë dërguar Ministrisë së Financave për ta parë se sa mund të subvencionohen.
“Secili në institucionet, në shtëpitë tona do duhet ta bëjmë maksimumin për kursim. Në masat emergjente parashihet se si duhet që institucionet publike të kursejnë energjia elektrike. Marrëveshja me Shqipërinë për energjinë do na ndihmojë ta kalojmë këtë dimër. Do të jetë dimër i jashtëzakonshëm. Tregun evropian nuk do të ketë energji për të blerë nëse Rusia e ndalon gazin ashtu siç bëri muaj më parë. Ky është realiteti me të cilin do të përballemi ashtu si vendet e tjera. Do të bëjmë maksimumin që ta kalojmë këtë dimër sa më lehtë, por na duhet edhe ndihma e juaj”, shtoi ajo.
Rizvanolli tutje tregoi se çmimi i peletit do të trajtohet në ligjin për rregullimin e çmimeve për produktet esenciale.
Po sot, ministrja Rizvanolli, ka thënë se Qeveria po punon për gjetjen e zgjidhjeve teknike e operacionale për të realizuar subvencionimin e aprovuar prej 90 milionë euro për energjinë elektrike.
“Javën e kaluar kemi marrë kërkesën nga ZRRE, ku është thënë se kalkulimet janë të sakta dhe është bërë kërkesa për pagim. Jemi në konsultim me Sekretarin e Komitetit të Energjisë dhe USAID që kanë ofruar mbështetje teknike për mënyrën e realizimit të marrëveshjes. Po punojmë intenzivisht e do të ndodhë shumë shpejt”, ka thënë Rizvanolli në konferencë për media.