Ministria e Mbrojtjes e Kosovës përmes një reagimi të saj i ka quajtur të pavërteta lajmet e disa portaleve që raportuan se Togu i Gardës Ceremoniale të FSK-së, ka bërë nderime për të rënët serb të vitit 1912, respektivisht ushrarëve serbë.
Në sqarimin e saj Ministria e Mbrojtjes (MM) thekson se lajmi i tillë i publikuar në disa medie nuk është i vërtetë.
Kjo ministri njofton se me datën 11.11.2022, Togu i Gardës Ceremoniale dhe Orkestra Frymore e FSK-së, me ftesë të Ambasadës franceze dhe Ambasadës gjermane, ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar për të nderuar rënien e ushtarëve francez dhe gjermanë, gjatë Luftës së Parë Botërore, në periudhën 1914-1918.
“Pllakat përkujtimore të të rënëve të këtyre dy kombeve, janë të vendosur në një hapësirë të përbashkët me pllakën e të rënëve serbë të vitit 1912-1918, por që si ngjarje në periudhë kohore e as me aktivitetin në fjalë nuk kanë asnjë lidhje. Theksojmë edhe njëherë se Togu i Gardës Ceremoniale ka marrë pjesë si formacion mbështetës i Ambasadës franceze, nën organizimin e tyre, me qëllim nderimin e ushtarëve të rënë francez dhe gjerman”, thuhet nga Ministria e Mbrojtjes.
Sipas MM-së, pozicionimi fizik i gardistëve është imponuar nga pozita e pllakave memoriale dhe platosë përkatëse, dhe në asnjë formë nuk nderohen të rënët serbë.
“Ministria e Mbrojtjes dhe FSK nderojnë gjithmonë vetëm popujt mbrojtës të vlera të lirisë, paqes dhe demokracisë dhe assesi ata që kanë qenë faktor destabilizues në secilën etapë dhe autorë të krimeve e terrorit”, thuhet në reagimin e Ministrisë./KosovaNews/


