Ministria e Infrastrukturës dhe Universiteti i Prishtinës kanë nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi që synon forcimin e lidhjes ndërmjet institucioneve publike dhe botës akademike.
Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, dhe rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Arben Hajrullahu, formalizuan marrëveshjen, e cila parasheh angazhimin e studentëve, stafit akademik dhe ekspertëve të universitetit në realizimin e projekteve të Ministrisë së Infrastrukturës.
Sipas ministrit Basha, përmes këtij bashkëpunimi synohet që dija, përvoja dhe potenciali profesional i Universitetit të Prishtinës të kontribuojnë në avancimin e politikave dhe projekteve infrastrukturore në shërbim të interesit publik.
Ai falënderoi rektorin Hajrullahu dhe drejtoreshën e QILT-it, Arta Basha-Jakupi, për angazhimin dhe bashkëpunimin në këtë proces, të cilin e cilësoi me rëndësi të veçantë për institucionet.


