Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka publikuar një video në faqen e tij në facebook, e cila demanton presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuqiç. Presidenti serb dje kishte deklaruar se grupe të uniformuara serbësh janë shfaqur në veri ditën e 25 korrikut, mirëpo, sipas tij, ata nuk kishin qenë të armatosur, por ishin mirëpritur nga serbët lokalë si “çlirimtarë”.
Në videon e publikuar nga ministri Sveçla në ditën kritike shihen serbë të uniformuar dhe me maska, duke bartur armë të gjata. Madje, natën mes 31 korrikut dhe 1 gushtit këto grupe kishin sulmuar edhe njësitë speciale të Policisë së Kosovës me armë zjarri, ku plumbat kishin goditur makinat e policisë.
Ministri Sveçla këto veprime të Aleksandar Vuqiçit i krahasoi me veprimet e Serbisë në vitet e 80-90 ta të shekullit të kaluar.
Sveçla gjatë konferencës së sotme për media tha se prapa këtyre grupeve kriminale qëndron presidenti serb Aleksandar Vuqiç, gjë të cilën ai vetë e konfirmoi dje për herë të parë në parlamentin e Serbisë.