Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci e ka vizituar një fermer nga komuna e Kamenicës, i cili kësaj radhe ka përfituar mbështetje prej rreth 100 mijë euro nga Qeveria e Kosovës.
Me rastin e vizitës, ministri Peci ka thënë se ky është ndryshimi që ka sjell Qeveria Kurti.
“Ndryshimi! Nexhmedin Korça nga Gmica e Kamenicës, kishte aplikuar disa herë me vite të tëra për projektin e shtallës, por pa përgjigje. As pozitive e as negative.
Përmes Programit për Zhvillim Rural 2022, me po të njëjtin projekt ai shpallet ndër të parët në listë të përfituesve për ndërtimin e shtallës për lopë qumështore me infrastrukturë përcjellëse në vlerë prej 97,812.50 euro”, ka shkruar Peci.
Ai shtoi se falë mbështetjes institucionale, sot ai po ndërton shtallë moderne me kapacitet prej 70 krerë lopë.
“Prandaj ekziston koncepti zhvillim rural sepse investime të tilla zhvillojnë dhe gjallërojnë zona të thella rurale e në veçanti kufitare siç është rasti me Gmicën e Kamenicës”, ka shkruar mes tjerash Peci.


