Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), Faton Peci ka takuar homologun e tij, ministrin e Bujqësisë së Letonisë, Armands Krauze, me të cilin zhvilluan një bisedë rreth bashkëpunimit në sektorin e bujqësisë, por edhe në thellimin e bashkëpunimit të deritanishëm në sektorin e pylltarisë.
Përmes një njoftimi për media, bëhet e ditur se gjatë këtij takimi, ministri Peci theksoi se me Letoninë ndajnë vlera të përbashkëta për sa i përket bujqësisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm të këtij sektori.
“Me ministrin Krauze u dakorduam që shumë shpejt ta zyrtarizojmë bashkëpunimin mes vendeve tona përmes një Marrëveshjeje të Mirëkuptimit në mënyrë që përmes projekteve të përbashkëta, të kemi qasje në fondet mbështetëse evropiane e ndërkombëtare”, tha mes tjerash ministri Peci.
Po ashtu gjatë këtij takimi e ka ftuar homologun e tij, ministrin Krauze për vizitë në Kosovë në mënyrë që të ketë një pasqyrim më të mirë të potencialit agro-ekonomik të vendit tonë.
Tutje, ministri i BBPZhR-së, Faton Peci tha se Kosova dhe vendet e Baltikut ndajnë edhe rrezikun e përbashkët të fqinjëve agresorë përpos vlerave të përbashkëta njerëzore, andaj edhe nevoja për bashkëpunim ndërshtetëror është më e shprehur dhe duhet të intensifikohet.


