Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhillimit Rural, Faton Peci ka thënë të enjten se në sektorët shumë të rëndësishëm për vendin gjatë nëntë vieteve të kaluara nuk ishte aprovuar asnjë ligj, ndërsa që vetëm dje e sot kaluan dy ligje bazike.
Gjatë seancës së Kuvendit të enjten deputetet miratuan me shumicë votash Ligjin për Pyjet dhe Ligjin për sigurinë e përgjithshme të produkteve.
E pas miratimit që mori dje edhe Ligji për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, ka reaguar ministri Faton Peci.
Ai tha se për 9 vite me radhë në sektorin e bujqësisë, pylltarisë dhe zhvillimit rural, nuk ishte aprovuar asnjë ligj, ndërsa që vetëm dje e sot, kaluan leximin e dytë në Kuvendin e Republikës së Kosovës dy ligje bazike.
“Imagjinoni! Territori i Kosovës është mbi rreth 40% i mbuluar nga Pyjet dhe deri më tani, nuk ka patur vullnet politik që ky sektor shumë i rëndësishëm socio-ekonomik e ambiental të rregullohet me ligj adekuat. Sot kaloi në Lexim të Dytë Ligji për Pyje. Ndërsa gjatë seancës së djeshme, kaloi leximin e dytë Ligji për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, i cili do ta rregullojë këtë sektor dhe do t’i shërbejë zhvillimit dhe avancimit të mëtutjeshëm të bujqësisë si veprimtari”, ka shkruar ministri Peci.


