Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati u ka bërë thirrje edhe një herë bizneseve që të rrisin pagat e punëtorëve dhe kështu do të përfitojnë edhe subvencionim prej 50 për qind për tre muaj nga Qeveria e Kosovës.
Murati tha se është fakt se çmimet janë rritur, por bashkë me çmimet, shumica e bizneseve kanë rritur edhe fitimet e tyre, raporton KosovaNews.
“Andaj është koha që fitimet e shtuara, bizneset t’i ndajnë me ata që ua mundësojnë të kenë fitim – pra punëtorët. Sidomos tani kur jeta është bërë më e vështirë si rezultat i çmimeve më të larta. Për ta bërë më të lehtë, qeveria do të mbështesë secilin biznes që rrit pagat e punëtorëve duke subvencionuar 50% të rritjes së pagës, për 3 muajt e parë, sipas kushteve dhe kritereve të aplikueshme”, ka thënë ai.
Ministri ka potencuar se secili biznes që ka rritur pagat e punëtorëve nga shtatori e këtej, dhe dëshiron të përfitojë nga mbështetja e qeverisë, mund të aplikojë në platformën EDI deri më 20 dhjetor.
E gjithë bizneset që kanë rritur apo rrisin në ndërkohë pagat për të përfituar mbështetjen qeveritare duhet ndjekur hapat si në vijim, që gjenden tek faqja e Administratës Tatimore të Kosovës./KosovaNews/


