Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka kujtuar 28 vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, ku forcat serbe vranë mi 8 mijë persona.
“Sot shënohet 28 vjetori i masakrës së Srebrenicës, në të cilën forcat serbe kanë vrarë rreth 8 mijë e 372 djem dhe burra myslimanë. Kjo ngjarje njihet si gjenocidi më i rëndë në Evropë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore me shkaktarë po të njëjtin faktor destabilizues të Ballkanit si edhe tani, shovinistët e sistemit jugosllav e ndjekësit e politikave të Sllobodan Millosheviqit”, ka shkruar Mehaj në Facebook.
Ai ka thënë se autorët e vërtetë të krimeve si edhe në rastin e luftës në Kosovë vazhdojnë të mbeten të lirë.
“Numri të dënuarve as për së afërmi nuk përkon me numrin e kriminelëve përgjegjës të masakrave. Srebrenica e Reçaku nuk harrohen. Krimet mbeten krime, nuk vjetërsohen. Kriminelët duhen vihen para drejtësisë”, ka shkruar Mehaj.


