Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, gjatë raportimit në Komisionin për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes, ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është e përgatitur dhe e gatshme për ta mbrojtur sovranitetin e vendit, pasi sipas tij, Serbisë nuk i besohet kurrë.
“Serbia është ajo që është. Ne duhet me qenë çdo herë të përgatitur, asaj nuk i besohet kurrë. Ne jemi të përgatitur, jemi të gatshëm të mbrojmë vendin, çdo kohë kurdo që kërkohet”, ka thënë Mehaj mes tjerash Mehaj.
Ai gjatë raportimit të tij në Komision paraditeka thënë se synim i Ministrisë së Mbrojtjes është anëtarësimi i FSK-së në NATO, ndërsa ka folur edhe për idenë që në Kosovë të ketë shërbim të obligueshëm ushtarak.
“Si fillim është mirë të kemi ligjet, pastaj ‘Edukata për siguri”, është mirë që fëmijët të mësohen se sa shumë gjak është derdhur për lirinë e Kosovës dhe ne të kemi këtë ushtri. Çdo hap tjetër bëhet me partnerët dhe aleatët tanë që të arrijmë synimet tona që është anëtarësimi i Kosovës në NATO. Ne po punojmë koncepte me shtetet e tjera që kanë ushtrinë e obligueshme”, tha Mehaj.
Për këtë vit, Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), iu kanë shtuar 840 ushtarë të rinj. Sa i përket pjesëmarrjes së grave në FSK, ajo është rritur.
“Për momentin mbi 44 për qind është pjesëmarrja e grave, e nëse krahasohet me rajon jemi më mirë se të tjerët”, theksoi ministri Mehaj.
Ai bëri të ditur se do të rekrutohen edhe 612 ushtarakë të rinj aktiv, kurse 388 rezervë.