Ministri i Mbrojtjes së Serbisë Millosh Vuçeviq, ka deklaruar se shteti i tij nuk do ta njohë kurrë Kosovën, qoftë edhe me çmimin e mospasjes së serbëve në atë territor.
“Nëse ndalimi i dinarit fillon sot, është mesazh për serbët se nuk mund të mbijetojnë. Kurti nuk ka pse t’u kushtojë vëmendje paralajmërimeve të Quint-it, ai na dëbon dhe terrorizon popullin. Por ai nuk ka asgjë për të fituar nga kjo, ne kurrë nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës dhe do të luftojmë për territorin dhe popullin tonë, por është tmerrësisht e vështirë”, tha Vuçeviq, sipas medias serbe Danas.
Vuçeviq shtoi se kryeministri i Kosovës Albin Kurti po ushtron dhunë ndaj minoritetit serb.
“Presidenti serb Aleksandër Vuçiq mbron interesat e Serbisë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe Kurti inkurajohet të na fusë në konflikte. Kurti po bën një gabim historik, po ushtron dhunë ndaj minoritetit serb, është e paqëndrueshme në planin afatgjatë dhe do të lëndohet. Dhe targat që i kemi lejuar nuk na shqetësojnë fare, “nuk është sukses, por as turp nuk është”, tha Vuçeviq.


