Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku nga tapeti i kuq i Festivalit të Këngës në RTK, ka sqaruar çështjen e cila po diskutohet tash e disa ditë nga opinioni publik, e që ka të bëj me emërtimin e kësaj ngjarje.
Çeku tha se mos emërtimi i ngjarjes me emrin “Akordet e Kosovës” ka të bëjë me procedura ligjore dhe jo me mungesën e vullnetit të RTK-së.
“Pjesa më e bukur e diskutimit të parë me menaxhmentin e RTK-së ka qenë propozimi që ky festival të quhet ‘Akordet e Kosovës’ dhe ta ruajmë trashëgiminë më tutje., kanë qenë disa çështje ligjore siç është sqaruar nga menaxhmenti i RTK-së, të cilat po shpresoj që do të tejkalohen dhe duke e rikthyer Festivalin e rikthejmë edhe emrin e bukur të ‘Akordeve të Kosovës”, ka thënë Çeku.
Tutje i pari i kulturës tha se reagimi i publikut ka qenë me entuziazëm, teksa synimet janë drejt “Euro song”.
“Në dy netët e kaluara reagimi i publikut ka qenë pozitiv, është pritur me entuziazëm të madh sepse edhe po fillon edhe po vazhdon një traditë që ka ekzistuar dikur. Jemi të lumtur që po e bëjmë me emra të njohur të Shqipërisë, emra të skenës, organizimit e dijes për organizimin e festivaleve”, ka thënë ministri Hajrulla Çeku.