Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, në cilësinë e kryetarit të Komisionit Shtetëror për Shënimin e Përvjetorëve të Pavarësisë, të Epopesë së UÇK-së dhe Çlirimit, ka sqaruar lidhur me punën e këtij komisioni.
Ai në fillim bëri të ditur se ky komision është mandatar nga Qeveria për shënimin e disa datave të rëndësishme historike të shtetit dhe të popullit.
“Në Këshill kemi vendosur që tri data, pra e pavarësisë, epopesë dhe çlirimit, t’ia shtojmë deh 24 Marsin, respektivisht nisjen e fushatës ajrore të NATO-s”, tha ministri Çeku.
Ai më tej njoftoi për kalendarin e aktiviteteve për shënimin e këtyre ngjarjeve, që, sipas tij, shtrihen përgjatë tërë vitit, duke filluar nga muaji shkurt e deri në dhjetor, që realizohen në shumë komuna të Kosovës.
Në kuadër të këtij komisioni, ministri Çeku tha se parashihen të themelohen edhe grupe të veçanta, ku do të mund t ftohen edhe anëtarë e grupe të tjera, sipas nevojës.
“Për këtë qëllim e kemi kontaktuar edhe Komunën e Skënderajt për të bashkëpunuar rreth aktiviteteve për shënimin e Epopesë së UÇK-së”, tha Çeku.