Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, e ka quajtur gjest barbar djegien e shtëpisë së familjes Koroglu në Mitrovicë në ditën kur kishin nisur punimet për restaurimin e saj. Ai ka paralajmëruar “grupet e interesit” se ajo shtëpi do t’i përket vetëm kulturës.
Monumenti ikonik i Mitrovicës është djegur mbrëmjen e së martës. Mbrohej si monument i trashëgimisë kulturore, por jo vetëm. Dy muajt e fundit, prej gushtit të sivjetmë, kur autoritetet i konfirmuan tentimet për ta rrënuar, shtëpia qytetare e shekullit XIX ishte edhe nën mbikëqyrje të organeve policore, siç ishte thënë asokohe, “brenda çdo një ore”. Por, institucionet dështuan ta mbronin.
Ministri i Kulturës ka thënë se janë duke punuar intensivisht që gjithçka të kthehet në normalitet.
“Ky është një gjest barbar dhe qyqar i grupeve të caktuara të cilat në ditën e fillimit të restaurimit të shtëpisë së familjes Koroglu, ia kanë vënë zjarrin. Policia është duke e kryer punën e saj intensivisht. Ne do të punojmë që gjithçka të kthehet në normalitet. Grupet e interesit, kinse për ndërtime, nuk do të lejohen. Kjo shtëpi do t’i përket kulturës dhe vetëm kulturës”, ka thënë Çeku.
Tutje në një reagim në rrjetin social, ministri Çeku tha se pret kapjen e ndëshkimin e kriminelëve dhe prokuroritë e gjykatat të kenë rol qendror në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
“Dënimet e deritanishme me gjobë nga 200 deri 700 euro për dëmtim të monumenteve, kur kodi penal parasheh deri në 500 mijë euro e burgim efektiv, janë vetëm inkurajim për keqbërësit.
Betejën mes barbarizmit dhe kulturës pa dyshim se do ta fitojë kultura”.