Kosova për herë të parë do ta organizojë kampionatin evropian të xhudos “European Championships Open”.
Pasi dje është zyrtarizuar vendimi i Unionit Evropian të Xhudos (EJU) që në Kosovë të organizohet Kampionat Evropian i xhudos, ka reaguar edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku.
Ai tha se angazhimi dhe investimi i vazhdueshëm në sport po sjell rezultate.
“Në fund të këtij viti, qytetarët tanë e sportdashësit do të kenë mundësi të shohin ndeshjet mes xhudistëve më të mirë të Evropës. Një ngjarje ndërkombëtare sportive që do të sjell promovim dhe të mira të tjera për vendin tonë”, ka shkruar ministri.
Më 16 dhjetor, në Prishtinë do të prezantohet një format i ri – “European Championships Open”. Kohëzgjatja e konkursit do të jetë një ditë.
Evropiani i hapur do të organizohet në kategorinë deri 57 kg, dhe tjetrën deri në 73 kg.
Shpërblimi do të jetë 300 mijë euro, ndërsa gara pritet të mbledhë xhudistët më të mirë në Evropë.