Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se në fokusin e kësaj Qeverie, ka qenë zvogëlimi i borxheve të mëdha që kanë trashëguar dhe krijimi i bazës ligjore e planifikuese që mbron mjedisin dhe ekonominë.
Aliu, në rrjetin social Facebook, ka postuar një video ku flet për punimet dhe efikasitetin që po bëhen në shumë projekte. Sipas tij, projektet e mëdha infrastrukturore po marrin dinamikë të re.
“Bashkë me zv. Ministrin Durmishi jemi rrugës për Gjilan, ku do të vizitojmë punimet në autostradën e Gjilanit, teksa janë duke u bërë asfaltime në Lotin 8. Cilësia e punimeve dhe efikasiteti e shpejtësia në kryerjen e punës janë objektivi i vetëm që kemi. Por kemi edhe një lajm të mirë, siç e keni parë, sot Qeveria ka marrë vendim për shpronësimin e parcelave që prekin trasenë e projektit të madh të rrugës Prizren-Tetovë. Më lejoni që t`ju njoftoj që qysh sot do të shpallim njoftimin për kontratë për ndërtimin e kësaj rruge”, shkruan Aliu.
Ministri thotë se përkundër sfidave dhe telasheve të trashëguara, po angazhohen maksimalisht që projektet të marrin drejtimin e duhur.
“Shumë punë e projekte të mira na presin në vijim”, shkruan ai.


