Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se prioritetet e këtij institucioni dallojnë nga qeverisjet e kaluara.
“Ministria ku unë e drejtoj, projektet e reja i ka të orientuara në një drejtim tjetër. I kemi hekurudhat prioritet më shumë sesa rrugët dhe autostradat. I kemi digat dhe menaxhimin e ujërave më shumë sesa autostradat. E kur flasim te autostradat, edhe aty po vazhdojmë. Si trashëgimi e kemi pasur rrugën Dollc – Gjakovë, atë të Mitrovicës, Gjilanit dhe Podujevës. Te e Podujevës është dashur projekt nga fillimi dhe e kemi bërë, po shkon pakrahasimisht ndryshe nga ato që i kemi trashëguar”, ka theksuar Aliu.
Tutje ai ka thënë se rruga Dollc – Gjakovë s’ka pasur as projekt, shpronësime dhe urat e pjesët e tjera të objekteve në rrugë.
Sipas tij, tashmë Ministria i ka dizajnuar strukturat dhe pritet të lidhet kontratë për to.
Ai iu ka kundërpërgjigjur komenteve të opozitës se Qeveria është selektive në komuna varësisht nga qeverisja lokale.
Në këtë rast ka marrë shembull Ferizajn e Gjakovën, ku vetëm në këtë të fundit tha se janë 12 projekte, duke qenë një nga komunat me buxhetin më të lartë nga MMPI.
“Ferizaj i ka 22 milionë e 489 mijë euro projekte. Asnjëra s’janë të Vetëvendosjes. Por edhe pse kanë projekte realizimi i tyre nuk është i duhur”, ka thënë Aliu.