Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, do të qëndrojë në Kosovë nga data 21 deri më 23 korrik.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit dhe qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në vendin tonë.
Sipas njoftimit, të enjten për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme, në intervale të shkurta kohore të qarkullimit të trafikut në disa segmente rrugore ku pritet të kalojë eskorta.
“Po ashtu edhe në ditën e kthimit, më 23 korrik, sipas agjendës zyrtare do të ndërmerren veprimet e njëjta policore, të lëvizjes së eskortës, në rrugët të cilat përdoren për qarkullim të eskortës. Për të mundësuar qarkullimin dhe riorientimin e trafikut në rrugë alternative në lokacionet ku pritet të kalojë eskorta do të angazhohen zyrtarë policorë të njësiteve relevante, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftim.
Presidenca ka bërë të ditur se me ftesë të Presidentes Osmani, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta do qëndrojë për vizitë zyrtare në Kosovë, me rastin e përmbylljes së mandatit të tij.


