Ndonëse është dita e 27 grevës dhe drejtuesit e SBASHK-ut nuk po lëshojnë pe dhe po mbajnë gjithë sistemin arsimor të bllokuar, janë disa shkolla në qytete të ndryshme të vendit që po thyejnë grevën dhe e kanë filluar vitin e ri shkollor.
E prindërit e nxënësve, sidomos voglushëve që shkojnë nëpër kopshte kanë nisur të ngritin zërin dhe mos të arsyetojnë grevën e tejzgjatur.
Ashtu siç edhe patën paralajmëruar në vendimin e marrë më 15 shtator, prindërit kanë dërguar sot fëmijët në tyre në çerdhen “Yllkat”, në Prishtinë, raporton KosovaNews.
Prindërit dhe fëmijët kanë qëndruar për më shumë se një orë në kopsht, ndërsa voglushët u çmallën me njëri-tjetrin dhe kërkuan që të kthehen mësueset e tyre.
Ata mbanin balona të bardhë ku ishin shkruar mesazhe prekëse, si: “Ne jemi në kopsht”, “Mësuese po të pres”, duke kërkuar kështu kthimin e takimin me edukatoret si më parë.

Megjithëse mësueset ndodheshin në kopshte, nuk dolën që të përshëndetët e të merren me fëmijët, pasi SBASHK-u nuk po heq dorë nga kërkesat përkundër shumë thirrjeve që të mos teprohet me vazhdimin e grevës.
Prindërit po kërkojnë që të fillojë mësimi dhe mos të ndëshkohen nxënësit, dhe mandej të vazhdohet dialogu që të gjendet në zgjidhje për kërkesat e shtruara ndaj institucioneve.

Këshilli i Prindërve nga çerdhja publike “Yllkat” në mbledhjen e mbajtur me 15 shtator, ka marrë vendim unanim që nga 19 shtatori, t’i dërgojnë fëmijët në kopsht, raporton KosovaNews.
Këtë vendim, prindërit e kanë marrë më shenjë proteste ndaj pamundësisë së tyre për t’i dërguar fëmijët në çerdhe.
Përmes njoftimit drejtuar prindërve, Këshilli i Prindërve ka bërë të ditur se kështu do të vazhdojnë çdo ditë deri në ndryshimin qëndrimit të stafit sindikalist për grevat në arsim.
Përmes këtij organizimi, Këshilli i Prindërve ka thënë se kanë për qëllim përcjelljen e mesazhit për rikthimin e fëmijëve në çerdhe.
“Nga ora 08:00-10:00 do te qëndrojmë bashkë me fëmijët, nëse është koha e mirë, në oborr të brendshëm tek lodrat, e nëse është koha me shi, do te qëndrojmë nëpër dhoma të fëmijëve…”, thuhet në njoftim, raporton KosovaNews.

E vendimit të Këshillit të Prindërve të çerdhes “Yllkat” në Prishtinë, për t’i dërguar fëmijët e tyre në kopsht, pavarësisht mos ndërprerjes së grevave në arsim, i janë bashkangjitur edhe Këshillat e Prindërve të çerdheve “Dielli” dhe “Gëzimi Ynë”.
“Në kontakt me organizatoren e çerdhes Dielli, ju njoftoj që të hënën 2 çerdhe ‘Dielli’ dhe ‘Yllkat’ do të dalin në mëngjes me fëmijë në çerdhe. Prandaj do t’i bashkëngjitemi edhe ne ‘Gëzimi Ynë“, thuhet në njoftimin e Këshillit të Prindërve të çerdhes “Gëzimi Ynë”.
Greva ka nisur nga 25 gushti – Qeveria ndau 150 milionë euro si mbështetje për të gjithë punëtorët
Në grevë nga 25 gushti janë mësimdhënësit, edukatorët në kopshte publike, një pjesë e punëtorëve të administratës publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës.
Kërkesa kryesore e sindikatave të këtyre punëtorëve drejtuar Qeverisë së Kosovës, është ndarja e nga 100 eurove në muaj për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat.
Ndërkohë Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë një pako prej 150 milionë euro për të ndihmuar qytetarët e vendit për t’u përballur me inflacionin.
Kryeministri Albin Kurti tha se kjo do të jetë një ndihmë në kuadër të pakos për përballje me inflacionin, e cila është vazhdimësi e pakos për ringjalljen ekonomike.
Kurti tha se familjet me asistencë sociale do të mbështeten me dyfishim të shumës së asistencës për një muaj, shtatorin. Pensionistët do të marrin nga 100 euro për muajin shtator, ndërsa shumën e njëjtë do ta marrin edhe studentët, në nëntor.
Nga 100 euro do të marrin edhe punëtorët e ndërmarrjeve publike. Kjo është ndihmë e njëhershme.
Sipas tij, nga shtatori nga 50 euro shtesë do të marrin punëtorët e sektorit publik, e këtu hyjnë edhe mësimdhënësit të cilët do të marrin nga 50 euro shtesë deri në fund të këtij viti fiskal.
Ndërsa për punëtorët e sektorit privat u tha se Qeveria do të subvencionojë për tre muaj ato biznese që i rrisin pagat e punëtorëve, pra gjysmën e rritjes së pagës së tyre për tre muaj.
Ai tha po ashtu se shpejt do të procedohet në Qeveri e Kuvend, Projektligji për punë publike i cili ka për qëllim kompensimin për inflacion për materiale ndërtimore dhe punët përcjellëse./KosovaNews/


