Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Kurtit për takimin e nesërm.
Gjatë ditës së sotme Kreu i LVV, Albin Kurti, ka ftuar kryetarin e LDK dhe të PDK për takim më 1 maj lidhur me krijimin e institucioneve të reja, përkatësisht zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Mirëpo kjo ftesë është refuzuar nga ana e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Deputetja nga radhët e LDK-së Hykmete Bajrami, ka thënë për Indeksonline se LDK ka marrë sot ftesën e Kurtit, por as Abdixhiku dhe as askush tjetër nga LDK-ja, nuk do të marrë pjesë në këtë takim.
Takimi është caktuar të mbahet nesër me 1 maj, duke filluar nga ora 08:30.
Reagimi i plotë nga Memli Krasniqi:
Sot kam pranuar një letër nga Kryetari i koalicionit Vetëvendosje-Guxo-Alternativa, z. Albin Kurti, me ftesë për një takim para vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës që mbahet nesër.
Duke besuar thellësisht se Republika e Kosovës ka nevojë urgjente për zhbllokim institucional dhe për rikthimin e funksionimit të rregullt të institucionit më të lartë legjislativ, si dhe për t’i hapur rrugë afateve kushtetuese për themelimin e Qeverisë, do t’i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese për takim.Në këtë frymë, e inkurajoj z. Kurti që të reflektojë me përgjegjësi mbi situatën aktuale dhe të shfaqë vullnet të sinqertë për të mundësuar formimin e institucioneve të reja, në mënyrë që Kosova të ketë sa më parë një Kuvend dhe një Qeveri legjitime e funksionale.
Në këtë kontekst, gjetja e një kandidateje apo kandidati të përshtatshëm, që gëzon mbështetjen e shumicës së deputetëve, do të ishte një hap i rëndësishëm përpara.
Natyrisht, për çështjen e nënkryetarëve të Kuvendit nuk ka asgjë për të diskutuar, pasi kjo është një e drejtë e garantuar nga Kushtetuta dhe e përcaktuar qartë.
Partia Demokratike e Kosovës, sikur gjithmonë, do të vazhdojë të sillet me përgjegjësi dhe seriozitet institucional, në përputhje me interesin shtetëror dhe qytetar.Të gjitha qëndrimet e detajuara të PDK-së do t’i bëjmë publike edhe nesër, gjatë dhe pas takimit, përmes një konference për media