Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka vizituar Brukselin ndërkaq tha se në takimin e nëntë të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës ku morën pjesë 54 shtete, theksuan edhe një herë rëndësinë që secili prej shteteve të ofroj të gjithë ndihmën e nevojshme për Ukrainën dhe popullin ukrainas të cilët po përballen me agresionin rus, një lufte të padrejtë që duhet dhënë fund.
Gjatë këtij takimi, Mehaj shprehu gatishmërinë si Qeveri e si Ministri e Mbrojtjes që në çdo kohë të strehohen 5000 refugjatë ukrainas, e po ashtu mbështetje përmes trajnimit të ushtarakëve ukrainas në fushën e deminimit, kërkim-shpëtimit dhe eliminimit të materieve të rrezikshme.
“Si një shtet që jemi përballur me një agresor të tillë me mentalitet okupues e gjenocidal, e kuptojmë shumë mirë luftën e popullit ukrainas për liri, e gjithashtu rolin e pazëvendësueshëm që ka faktori ndërkombëtar në këtë mes, ndihma që mund të shpëtoj jetë e t’i jep fund terrorit. Jemi me popullin ukrainas dhe do ofrojmë çdo ndihmë që është brenda kapaciteteve tona”, shkroi Mehaj.


