Në objektin e Qeverisë së Kosovës të premten kanë arritur i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialog, Mirosllav Lajçak, i shoqëruar nga emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i dërguari i posaçëm i Francës, Emmanuel Bonne, ai i Gjermanisë, Jens Plotner, dhe Francesco Talo, këshilltar i kryeministres së Italisë.
Pas më shumë se dy orë tashmë ka mbaruar takimi dhe një deklaratë për gazetarë ka dhënë emisari i BE-së, MIrosllav Lajçak.
Ai tha se e ka quajtur të hapur dhe të sinqertë takimin me kryeministrin Albin Kurti.
Lajçak ka shtuar se ishte diskutimi i propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kemi ardhur këtu një delegacion shumë i fuqishëm dhe me ketë kemi dhënë një sinjal se jemi të përkushtuar për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Qëllimi i takimit ishte të diskutojmë propozimin për normalizim që ia kemi paraqitur në shtator e më pas në dhjetor. Kemi më shumë se dy orë në takim që do të thotë se takimi nuk ishte i lehtë, ishte i gjatë, por shumë i hapur dhe i sinqertë. Është shumë herët të bëjmë ndonjë deklaratë dramatike sepse jemi në mes të misionit dhe do vazhdojmë në Beograd. Nuk mund të them shumë”, ka thënë ai para gazetarëve pas takimit në Qeveri.
Lajçaku ka thënë se shpreson që të shfrytëzohet potenciali i plotë i këtij propozimi.
“Kemi pritur kuptim më të mirë të mundësisë që ofron ky propozim. Shpresoj të arrijmë aty dhe të shfrytëzohet potenciali i plotë i këtij propozimi”, ka thënë ai.
Emisarët ndërkombëtarë erdhën në Prishtinë me qëllim të intensifikimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ata, gjatë ditës, pritet të vizitojnë edhe Beogradin, ku do të takohen me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Vizitat në të dyja vendet synojnë të përgatisin terrenin për vazhdimin e dialogut në nivel të lartë në Bruksel.