Punimet e seancës gjyqësore në Gjykatën Speciale në Hagë kanë rinisur me mbrojtjen e të akuzuarve të tjerë, në këtë rast të Kadri Veselit, e cila është duke dhënë deklarimet e saj hyrëse.
Avokati i Veselit, Ben Emmerson, tha se disa persona kanë ekzagjeruar rolin e tyre në UÇK për qëllime politike, e disa të tjerë janë distancuar për shkak të frikës se mund të përballen me një gjykim.
“Disa persona e kanë ekzagjeruar rolin e tyre në UÇK shpesh për qëllime të aktualitetit politik të ditës, por të tjerë janë përpjekur të distancohen nga ngjarjet, sepse e kanë ditur se disa prej veprimeve të tyre kanë qenë të dyshimta, dhe mund të dilnin një ditë para një gjykate penale”, tha ai.
Sipas Emmerson gjatë këtij gjykimi do të paraqitet një panoramë e ndërlikuar e një periudhe kaotike, për shkak të distancës kohore prej kur ka ndodhur lufta e deri te nisja e gjykimit.
Emmerson tha se situata ndërlikohet edhe më shumë për shkak të propagandës së luftës, që tha se është përdorur nga të gjitha palët, përfshirë UÇK-në.
Ai tha se gjatë 25 vjetëve të fundit kanë qarkulluar shumë thashetheme dhe zëra me pretendime rreth luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por, ai shtoi se disa të tjerë janë distancuar nga zhvillimet e viteve të luftës “pasi ishin tejet të dyshimta”.
“25 vjet pas traumës dhe masakrave dhe trazirave të shkaktuara, Kosova vijon të jetë vend ku gëlon thashetheme, ku qarkullojnë zëra, pretendime dhe kundërpretendime… Elemente të kësaj kulture ka shekuj, por vijojnë edhe kësaj ditë. Disa njerëz e kanë ekzagjeruar rolin që e kishin në UÇK për qëllime të aktualitetit të ditës”, tha ai.
Sipas avokatit, UÇK-ja ishte formuar në pranverën e vitit 1998 dhe kishte anëtarë të pastërvitur.
“Në një ushtri guerile që u formua në mënyrë të shpejt në pranverën e vitit 98 dhe që përbehej nga civilë shqiptarë me armatime të pakta dhe të pastërvitur, u bënë orvatje që UÇK-ja të paraqitet si një gjë më e organizuar, më e unifikuar dhe më efektive”, tha avokati i Veselit.
Tutje Ben Emmerson, avokat i Kadri Veselit, ka thënë se Prokuroria në Speciale nuk e ka asnjë dëshmi “që mund ta vërtetojë se Veseli ka qenë pjesë e ndonjë ndërmarrjeje kriminale”.
Sipas tij, në periudhën për të cilën akuzohet, Veseli ka qenë kryesisht jashtë Kosovës.
Për të parë gjykimin klikoni në linkun më poshtë: