Qeveria e Kosovës edhe këtë dimër parashikon t’i subvencionojë faturat e rrymës për disa kategori të konsumatorëve.
Për formën e re të subvencionimit ditë më parë në prezantimin e Programit për mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm të energjisë elektrike foli edhe vetë kryeministri Albin Kurti.
“Programi ka në fokus subvencionimin e faturës së energjisë elektrike për konsumatorët që konsiderohen të cenueshëm. Këtu përfshihen personat me aftësi të kufizuar, nënat vetushqyese dhe pensionistët që jetojnë vetëm. Është program një vjeçar”, ka theksuar Kurti, sipas të cilit, ky program pason atë të blerjes së pajisjeve efiçiente për qytetarë dhe subvencionimin e energjisë
E tashmë pasi është lansuar edhe forma e aplikimit për subvencionim të energjisë elektrike për familjet e cenueshme janë bërë mjaft shumë aplikime.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se deri tani janë mbi 16 mijë familje që kanë aplikuar për subvencionim të faturave të energjisë elektrike.
Aplikimi do të jetë i hapur deri në fund të muajit shtator, dhe mund të bëhet online në formularin:
“Inkurajohen të aplikojnë të gjitha familjet që kanë të ardhura mesatare mujore më pak se 150 euro për anëtar. Në veçanti, inkurajohen që të aplikojnë familjet që kanë anëtarë me aftësi të kufizuara, që janë prindër vetushqyes, apo që janë pensionistë që jetojnë vetëm e pa përkujdesje”, ka shkruar ministri Murati.
Kush mund të përfitojë?
Të gjitha familjet me të ardhura mesatare mujore më pak se 150 euro/muaj/anëtar, kualifikohen për të aplikuar për subvencionim.
Pra nëse një familje ka 4 anëtarë dhe ka të ardhurat mujore më pak se 600 euro/muaj, mund të aplikojë për subvencion. Nëse familja ka 5 anëtarë duhet të ketë të ardhura më pak se 750 euro/muaj për t’u kualifikuar, e kështu me radhë.
Sa është shuma e subvencionit?
Shuma e subvencionit të plotë shkon deri në 900 kWh/vit për një anëtar, dhe do të jetë e shpërndarë nëpër muajt e dimrit.
Nëse një familje 4-anëtarëshe ka 300 euro të ardhura mujore, mund të përfitojë gjysmën subvencionit, pra 450 kWh/vit për anëtar.
Nëse familja nuk ka fare të ardhura, atëherë mund të përfitojë subvencionin e plotë prej 900kËh për anëtar.
Me fjalë tjera, sa më pak të ardhura të ketë familja, aq më e lartë është vlera e subvencionit, e që mund të shkojë deri në 900kËh/vit/anëtar.
Në rast se familjet nuk kanë qasje në internet, apo kanë vështirësi të aplikojnë, mund të drejtohen në Qendrat për Punë Sociale për udhëzime dhe ndihmë.


