Deputeti aktual nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë të martën se buxheti i Kosovës në terma real për vitin 2023 nuk është siç e ka prezantuar Qeveria e Kosovës.
Hoti edhe kësaj radhe assesi nuk e ka pranuar atë që Qeveria e Kosovës ka miratuar në fund të muajit tetor, ku tha se projektligji për buxhetin e vitit 2023, kap një vlerë prej 3 miliardë e 212 milionë euro.
Sipas tij, për shkak të inflacionit prej rreth 20 për qind për produkte të konsumit bazik, buxheti për vitin e ardhshëm është më i ulët se për vitin 2022 për së paku 300 milionë euro.
“Për shkak të inflacionit prej rreth 20% për produkte të konsumit bazik, buxheti nominal për vitin 2023 prej 3.2 miliardë euro, është në fakt rreth 2.5 miliardë euro në terma real. Rrjedhimisht, ky buxhet në terma real është më i ulët se për vitin 2022 për së paku 300 milionë euro (sivjet ka qenë 2.8 miliardë euro). Krahasojeni vetë sasinë e mallrave që e keni blerë vitin e kaluar me 100 euro, me sasinë e mallrave që mund të blini sivjet me ato 100 euro. Do të vini në këtë përfundim”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Qeveria e Kosovës ka miratuar me 28 tetor projektligjin për buxhetin e vitit 2023, në vlerë prej 3 miliardë e 212 milionë euro.
Kryeministri Albin Kurti atë ditë në mbledhjen e Qeverisë ka thënë se ky buxhet vjen pas “vitit më të suksesshëm në histori, për të hyrat”.
Ai ka thënë se nga ky buxhet, rreth 750 milionë euro do të jenë për paga e mëditje, ndërsa 493 milionë për mallra e shpenzime.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se projektbuxheti ka tri objektiva: Vazhdim të konsolidimit të rimëkëmbjes ekonomike, zbutjen e ndikimit të presioneve të larta inflacionare që vjen nga importi dhe sigurimi i qëndrueshmërisë makrofiskale për rritjen ekonomike.
“Ekonomia e Kosovës ka treguar rezistencë të mjaftueshme sa i përket përballueshmërisë me kriza. Deri në fund të vitit parashikojmë të kemi 3.8 deri në 4.1 për qind rritje ekonomike. Pritet një dinamikë e përshpejtuar e ekzekutimit të investimeve publike për shkak të zbatimit të kontratave në pritje që mundësohen me ligjin për mbështetjen e punëve publike. Eksporti i mallrave pritet të vazhdojë në trendin rritës të deritanishëm. Projeksionet mbi të hyrat për vitin 2023 pritet të arrijnë 2 miliard e 840 milionë euro”, ka thënë Murati.


