Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në Institutin Albanologjik, ku më 20 qershor 2025 nga Këshilli Drejtues është emëruar ushtruese detyrës së drejtoreshës Meliza Krasniqi , bashkëshortja e kryetarit të PDK-së Memli Krasniqi, në një mbledhje që nuk kishte kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje.
Sipas MAShTI-t, mbledhja në fjalë është mbajtur në kundërshtim me Rregulloren e Punës së Këshillit Drejtues të Institutit Albanologjik, e cila kërkon praninë e së paku katër prej pesë anëtarëve për të marrë vendime të vlefshme. Në këtë rast, ishin të pranishëm vetëm tre anëtarë, duke e bërë vendimin juridikisht të pavlefshëm.
“Institucione me rëndësi të veçantë kombëtare, siç është Instituti Albanologjik, nuk mund të shndërrohen në platforma për emërime të paligjshme apo përpjekje për shfrytëzim të pozitave për interesa personale apo politike,” thuhet në njoftimin zyrtar të MAShTI-t.
Ministria ka theksuar se për më shumë se një vit ka kërkuar shpalljen e konkursit për drejtor të rregullt të këtij institucioni, por ky proces është zvarritur në mënyrë të pajustifikueshme dhe ende nuk është përmbyllur.
Në këtë kontekst, MAShTI njofton se përmes Zyrës Ligjore do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për të garantuar rikthimin e ligjshmërisë dhe për të siguruar zbatimin e rregullave dhe procedurave të përcaktuara me ligj.
“MAShTI mbetet i përkushtuar në mbrojtjen e rendit ligjor, funksionimin transparent dhe respektimin e normave akademike në të gjitha institucionet që veprojnë në fushën e arsimit dhe shkencës,” përfundon reagimi.
Ministria ka bërë thirrje për bashkëpunim dhe unitet nga komuniteti akademik dhe publiku në ruajtjen e integritetit të jetës institucionale dhe vlerave kombëtare.