Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka njoftuar se ashtu siç është bërë planifikimi edhe do të mbahet mësim ditën e shtunë, për të zëvendësuar numrin e madh të orëve të humbura gjatë grevës, ndërsa Inspektorati i Arsimit do të jetë në terren dhe do ta mbikëqyr zbatimin e kalendarit të vitit shkollor.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) njofton se në bazë të kompetencave dhe përgjegjësive e ka rishikuar kalendarin e vitit shkollor 2022-2023 dhe i ka njoftuar me kohë të gjitha Drejtoritë Komunale të Arsimit në lidhje me këto ndryshime.
Bazuar në ndryshimet në kalendarin e rishikuar, ju informojmë se dita e shtunë, datë 15 tetor, do të jetë ditë pune për nxënësit e klasave 1-8, sipas orarit të përcaktuar nga shkollat.
MASHTI kujton se gjatë një muaji të grevës, janë humbur gjithsej 22 ditë mësimi apo rreth 12 për qind e ditëve të vitit shkollor të cilat duhet të zëvendësohen.
“Për shkak të çrregullimeve në pandemi, humbjet në arsim në Kosovë janë shumë të mëdha, derisa këto humbje janë shtuar edhe më shumë për shkak të grevave. Muajt në vijim mund të ketë çrregullime potenciale që mund të shkaktohen nga problemet e furnizimit me energji elektrike andaj, çdo diskutim për mosmbajtje të mësimit, është jo vetëm i dëmshëm, por edhe qëllimkeq e tendencioz”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
MASHTI kërkon që të gjitha shkollat të organizohen sa më mirë për mbajtjen e orëve të humbura për shkak të grevës, ashtu siç e parasheh kalendari i rishikuar.
Tutje bëhet e ditur se Inspektorati i Arsimit do të jetë në terren dhe do ta mbikëqyr zbatimin e kalendarit të vitit shkollor.
“Në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive për sigurimin e organizimit dhe mbarëvajtjes së mësimit në arsimin parauniversaitar, presim që komunat të sigurohen për realizimin e kalendarit shkollor duke filluar nga kjo e shtunë”, thuhet mes tjerash në njoftimin e MASHTI-t.
Kujtojmë se greva në arsim dhe në administratën publike, në nivelin lokal dhe qendror, ka nisur më 25 gusht të këtij viti dhe është pezulluar më 1 tetor.
Sindikalistët kanë mbajtur grevën me kërkesë kyçe për ndarje të 100 eurove për punëtorë, për çdo muaj, deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për paga.
Qeveria, në anën tjetër, ka publikuar një pako për ndihmë – për shkak të rritjes së inflacionit – dhe në të janë ndarë edhe nga 50 euro për të gjithë punëtorët e sektorit publik.
Qeveria së fundmi ka hartuar Projektligjin për paga dhe ky dokument është në procedura të konsultimeve publike./KosovaNews/