KosovaNewsKosovaNews
  • Politikë
  • Siguri
  • Ekonomi
  • Shëndetësi
  • Arsim
  • Kulturë
  • Sport
  • Rajon
  • Botë
  • Opinion
  • Tjera
    • Auto
    • Teknologji
    • Kuriozitete
KosovaNewsKosovaNews
  • Politikë
  • Siguri
  • Ekonomi
  • Shëndetësi
  • Arsim
  • Kulturë
  • Sport
  • Rajon
  • Botë
  • Opinion
  • Tjera
Search
  • Politikë
  • Siguri
  • Ekonomi
  • Shëndetësi
  • Arsim
  • Kulturë
  • Sport
  • Rajon
  • Botë
  • Opinion
  • Tjera
    • Auto
    • Teknologji
    • Kuriozitete
Follow US
© KOSOVANEWS ||Made by V͟I͟R͟A͟L͟ D͟i͟g͟i͟t͟a͟l͟
Home » “Masakra” në procesin e numërimit të votave, sekret publik i ruajtur qe shumë vjet
Politikë

“Masakra” në procesin e numërimit të votave, sekret publik i ruajtur qe shumë vjet

Kosova News
Kosova News 12:10 -26/01/2026
Shpërndaje
Shpërndaje

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u mbajtën më 28.12.2025 janë të dytat që organizohen sipas sistemit të votimit me nga 10 vota preferenciale për kandidatë për deputetë.

Të parat u mbajtën në shkurt të vitit 2025, derisa më herët Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, parashihte mundësinë e votimit deri në 5 kandidatë për deputetë.

Zgjedhjet e fundit dolën më problematike sa i përket votimit të kandidatëve për deputetë. Kjo pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve evidentoi parregullsi në disa vendvotime, e që për pasojë i gjithë vendi shkoi në rinumërim. Rinumërimi pastaj nxori në shesh manipulime në disa komuna, por me Prizrenin si kampion.

Për këto manipulime, plotë 109 veta u arrestuan në Prizren, nën dyshimet se u morën vesh së bashku për të bërë manipulimin e votave. Ky manipulim dyshohet se ndodhi në dy forma: e para – në rastet kur qytetarët kishin votuar më pak se 10 deputetë, në platformën e KQZ-së u shtuan disa vota për kandidatë të caktuar përmes hapësirës së lënë nga qytetarët; dhe forma e dytë ishte mosnumërimi i votave për disa kandidatë, duke i transferuar ato vota për kandidatë të tjerë.

Melazim Koci, gazetar e analist politik, konsideron se manipulimi e vjedhja e votave ka bërë që Kosova të mos shihet më si vendi me zgjedhjet më të mira e më të lira në Ballkanin Perëndimor.

“’Masakra’ në procesin e numërimit nga ‘cubat’ politik i ka hequr Kosovës epitetin e vendit më të avancuar në proceset zgjedhore në këtë pjesë të Ballkanit”- ishin fjalët që Koci përdori për situatën e krijuar në vend me manipulimin e votave të kandidatëve për deputetë.

Për keqardhje e konsideron ai situatën aktuale, kjo pasi qytetarët kosovarë, sipas tij, rrallëkund dalin në vendvotime në numra të konsiderueshëm dhe obligimin e tyre qytetar për të votuar e zgjedhur përfaqësuesit e tyre e kryejnë në mënyrën më të civilizuar të mundshme, pa incidente e pa eksese.

“Mjerisht, është klasa politike ajo që në çastin që ka qasje në votën e qytetarit e deformon atë, për interesa të ngushta individuale dhe partiake. Në këtë rrafsh mund të thuhet se Kosova ka popullatë me nivel më të lartë të kulturës politike se klasa politike”- ka thënë Koci.

Ndërkaq, sociologu Artan Muhaxhiri, konsideron se manipulimi i votave nga numëruesit partiakë, ka qenë sekret publik për shumë vite.

Megjithatë, sipas tij, ka pasur tolerancë sistematike ndaj kësaj praktike.

“Përveç shkeljeve ligjore, e keqja e qasjes së tillë qëndron në deformimin e idesë së politikës si kontribut shoqëror.”- thotë Muhaxhiri për KALLXO.com, duke shtuar se kandidatët po përqendrohen në korruptimin e numëruesve të votave.

Ky përqendrim i kandidatëve për deputetë në korrupsion po i largon ata nga krijimi i planeve konstruktive dhe ofertave të besueshme për votuesit, sipas Muhaxhirit. Ai shton se në këtë formë, shndërrohen në hallkën kryesore për karrierë të suksesshme në politikë.

“Strategjia më efikase për parandalimin e tyre në të ardhmen është të vepruarit në dy nivele: sanksionimi i kandidatëve nga partitë përkatëse dhe i manipuluesve prej mekanizmave ligjorë. Ndonjëherë edhe të dyja bashkë. Këto masa do t’i bënin manipulimet akte me rrezikshmëri të lartë, ndërsa dëmet konkrete më të mëdha sesa dobitë potenciale”- thekson Muhaxhiri.

Njëra nga hallkat që mundësoi manipulimin me vota është edhe mundësia për votimin deri në dhjetë kandidatë për deputetë.

Në debatin KallxoPërnime “Vjelja e zgjedhjeve” Eugen Cakolli nga KDI ka treguar se mesatarja e votave që shkuan për kandidatë në këto zgjedhje ishte 6, pra mesatarisht secili qytetar ka lënë 4 kandidatë pa i votuar.

“Ajo çka është interesante është që deri tash me totalin e votave të numëruara dhe të rinumëruara, mesatarja në nivel vendi është veç gjashtë. Pra qytetarët mesatarisht i kanë zgjedhur gjashtë vota preferenciale.”- ka thënë ai në debat.

Po ashtu, në një intervistë për KALLXO.com, Shkëlqim Rexha, zyrtar për Operacione Zgjedhore në KQZ ka treguar se manipulimi ka ndodhur në dy forma: në shtimin e votave në sistem nga numëruesit në rastet kur qytetarët kanë votuar më pak se 10 kandidatë dhe në marrjen e votave nga një kandidat duke i dërguar te dikush tjetër.

“Në disa raste është hequr një votë nga një kandidat dhe i është shtuar një kandidati tjetër, ndërsa në raste të tjera janë shtuar vota për kandidatë që fare nuk kanë qenë të shënuar në fletëvotim” – ka deklaruar Rexha.

E sociologu Muhaxhiri konsideron se zvogëlimi i numrit të kandidatëve në fletëvotime është mundësi e mirë për fuqizimin e demokracisë përfaqësuese.

“Rritet gara e mirëfilltë brendapartiake, pasi beteja bëhet për korpus më të vogël votash, e jo sikur tash, që kategoria e VIP-ve në dhjetëshen e parë e ka luksin ta marrë si të mirëqenë përkrahjen, derisa kandidatët më pak të njohur të luftojnë për votat tjera të mbetura në dispozicion.”- tha ai.

Muhaxhiri konsideron se në këtë formë “ulet inflacioni i përfshirjes indirektë të personazheve dytësore dhe tëhollimit ideologjik dhe vleror”. Krejt kjo, sepse sipas tij, shtohet pesha e relacionit më të drejtpërdrejtë mes votuesit dhe të votuarit, rritet respekti dhe ndikimi i votës edhe për arsye të parimit ofertë-kërkesë.

“Ka pak gjasa që ideja e ndryshimit të 10 kandidaturave të diskutohet seriozisht, meqë lidershipeve partiake u konvenon një kontekst i tillë i cili u siguron ruajtje të pushteteve të koncentruara në grupe të ngushta dalzotëse, ndonëse në dëm të reformave avancuese.”- deklaroi Muhaxhiri.

Ndryshimin e ligjit, për të mundësuar votimin deri në 10 kandidatë për deputetë, gazetari Melazim Koci e sheh si një nga shkaqet që mundësoi manipulimin e votave. Kjo sepse u shtua vota preferenciale, në vend që, sipas tij, të zvogëlohej ajo.

Ai konsideron se ky ndryshim, ka komplikuar procesin e numërimit, duke e lehtësuar manipulimin e votave.

“Përfundimisht Kosovës i duhet reformë e sistemit zgjedhor që do të konsistonte në uljen e numrit të votës preferenciale dhe vendosjen e numërimit elektronik. Pa reformë, listat e hapura mbetën vetëm në letër dhe manipulimi vazhdon.”- tha Koci për KALLXO.com.

Megjithatë, ai shton se partitë nuk e duan këtë ndryshim, sepse ky sistem atyre u sjellë mandate, strukturë të fortë dhe kontroll mbi deputetët. Ai shton se reforma zgjedhore nuk është çështje teknike por politike dhe e pushtetit.

Digjitalizimi i plotë i votimit, sipas Kocit do të evitonte përsëritjen e manipulimit me votën e qytetarit.

Formati në të cilin partive iu besohet procesi zgjedhor përmes anëtarëve në komisionet komunale, këshillat e vendvotimeve, vëzhguesit dhe numëruesit e votave, Koci konsideron se ka bërë që gara mes partive të zhvendoset te manipulimi i votave për kandidatë brenda partive të caktuara.

“Por, reformën e sistemit zgjedhor nuk e duan krerët e partive politike, sepse kështu nuk mund të kontrollojnë as procesin dhe as kandidatët (deputetët). Në sistemin aktual zgjedhor kryesia e partisë vendos listën, kontrollon komisionerët dhe kryesia ndikon në procesin e numërimit. Shumë deputetë janë në Kuvend, jo sepse i ka votuar populli, por sepse i ka shtyrë partia.”- tha Koci.

Më 13.01.2026 KQZ vendosi të dërgojë 10 komuna në rinumërim të plotë e 28 të tjera 10% të vendvotimeve të tyre. Pasi që u evidentuan manipulime të thella në komunën e Prizrenit, më 19.01.2026 u mor vendimi për rinumërim të plotë të votave nga vendvotimet e rregullta.

Vendimi për rinumërim, fillimisht KQZ e mori pasi janë shikuar videot nga kamerat në Qendrat Komunale të Numërimit, të cilat kanë ngritur dyshime se votat e kandidatëve për deputetë nuk janë shënuar në mënyrë të saktë në platformën zyrtare të KQZ-së.

Një problematikë këtu ka qenë se KQZ ka parë vetëm pamjet nga kamerat ku shihet fletëvotimi por jo edhe monitori i komisionerit i cili i ka vendosur votat në sistem.

Rrjedhimisht, ndryshimet janë vërejtur pasi që përmes pamjeve të fletëvotimeve KQZ ka numëruar me dorë votat e një vendvotimi dhe pas mbledhjes së tyre, janë krahasuar me të dhënat në sistem për atë vendvotim e tek pastaj janë vërejtur dallimet.

Lidhur me këtë proces, për KALLXO.com është deklaruar zyrtari për operacione zgjedhore në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Shkëlqim Rexha.

“Sipas video-incizimeve që kemi marrë nga Qendrat Komunale të Numërimit, kemi parë se votat e kandidatëve nuk janë shënuar në mënyrë të saktë nga ajo që është pasqyruar në platformën e KQZ-së” – ka thënë Rexha.

Sipas tij, gjatë krahasimit të rezultateve të fletëvotimeve me të dhënat e hedhura në platformën e KQZ-së, janë konstatuar mospërputhje të qarta.

Komisionerë partie në QKN, staf i KQZ-së në rinumërim

Një nga dallimet kryesore mes numërimit fillestar dhe procesit të rinumërimit, sipas Rexhës, është përbërja e ekipeve që kryejnë numërimin.

“Në Qendrat Komunale të Numërimit kanë qenë komisionerë të nominuar nga subjektet politike, të emëruar nga KQZ-ja, ndërsa në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve procesin e realizojnë persona të rekrutuar drejtpërdrejt nga KQZ-ja” – ka sqaruar Rexha.

Ai ka shtuar se procesi i rinumërimit është i monitoruar vazhdimisht nga vëzhgues të subjekteve politike, organizatave dhe mediave, përmes ekraneve që pasqyrojnë çdo veprim në kohë reale.

Edhe pse KQZ-ja nuk ka marrë ankesa direkte nga vëzhguesit gjatë numërimit fillestar, Rexha ka theksuar rëndësinë e rolit të tyre gjatë rinumërimit.

“Vëzhguesit luajnë rol kyç. Nëse vërejnë ndonjë pasaktësi reagojnë dhe punonjësi ynë është i obliguar ta ndalë procesin dhe ta verifikojë sërish votën,” ka thënë ai.

KQZ-ja ka bërë të ditur se raporti përfundimtar do të hartohet vetëm pasi të përfundojë rinumërimi i të gjitha 2 mijë e 557 kutive të votimit. Deri atëherë, procesi i certifikimit të rezultateve mbetet i pezulluar, duke shtyrë edhe afatet për formimin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet.

Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për rinumërimin e të gjitha votave të kandidatëve për deputetë në nivel vendi ka ardhur pas dyshimeve serioze për pasaktësi dhe manipulim gjatë procesit të numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN). Ky proces përfshin gjithsej 2 mijë e 557 vendvotime në tërë Kosovën dhe pritet të shkaktojë vonesa në certifikimin e rezultateve zgjedhore, duke ndikuar rrjedhimisht edhe në formimin e institucioneve të reja.

Për shkak të manipulimit me vota në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025, mbi 100 komisionerë të partive te ndryshme që janë thirrur për intervistim në lidhje me manipulimin e votave në Prizren.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur më 19.01.2026, ka vendosur për rinumërimin e të gjitha vendvotimeve në 28 komuna, si dhe për ndërprerjen e mandatit të anëtarëve të subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në Prizren.

Rinumërimi i votave ka shkaktuar ndryshime drastike në listat e kandidatëve, veçanërisht brenda Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ku disa kandidatë kanë humbur qindra, e madje edhe mijëra vota.

Krejt kjo pritet të sjellë vonesa në certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve dhe rrjedhimisht formimin e institucioneve të reja.

Pjesëmarrja në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, sipas KQZ-së, ka qenë 45.03% apo 900 mijë e 330 votues.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote në Kosovë ishte 1,999,204 votues, ndërkaq numri i atyre që janë regjistruar për të votuar jashtë vendit ishte 77,086.

Procesi zgjedhor brenda vendit u zhvillua në 948 qendra të votimit, ndërsa ky proces jashtë Kosovës u organizua në 16 ambasada dhe 13 konsullata të vendosura në 18 shtete të ndryshme. Sipas të dhënave të KQZ-së, në 29 përfaqësi diplomatike patën të drejtë vote 19,187 votues.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka shpërndarë Kuvendin e Kosovës më 20.11.2025, pasi ky institucion nuk arriti të zgjedhë Qeverinë, ndonëse zgjedhjet parlamentare ishin mbajtur më 09.02.2025.

Si rrjedhojë, e para e shtetit e shpalli 28 dhjetorin 2025 si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Gjithashtu lexoni:

Manxhuka: Serbia nuk ka bërë asnjëherë distancim nga politika e Millosheviqit

Demokratët evropianë dënojnë deklaratën e Paunoviqit: Serbia nuk mund të ecë drejt BE-së me retorikën e Millosheviqit

Zejnulla Gashi emërohet kryeprokuror i Shtetit, dekretohet nga Haxhiu

Konjufca reagon ashpër pas deklarimit të ministres serbe: BE-ja t’i përgjigjet me dënim të qartë

Kamberi reagon ndaj deklaratës së ministres serbe, kërkon shkarkimin e saj

Kosova News 26/01/2026 26/01/2026
Shpërndaje
Facebook Whatsapp Whatsapp Email Copy Link Print
- Reklamë -
Ad image
Moti
17°C
Pristina
scattered clouds
20° _ 17°
75%
1 km/h
Wed
34 °C
Thu
34 °C
Fri
34 °C
Sat
38 °C
Sun
32 °C

Lajmet e Fundit

Spanja e mposht me lehtësi Francën dhe kalon në finale të Botërorit
23:08 -14/07/2026
Kosova dhe Franca riafirmojnë partneritetin, kërkohet formimi i institucioneve
21:54 -14/07/2026
Kosova e shpall “non grata” ministren serbe pas deklaratës fashiste
21:23 -14/07/2026
Manxhuka: Serbia nuk ka bërë asnjëherë distancim nga politika e Millosheviqit
21:16 -14/07/2026
Francë – Spanjë, formacionet zyrtare
20:17 -14/07/2026
Follow US
IMPRESSUM:

KOSOVA NEWS - portal i pavarur informues e hulumtues

BOTUES: KosovaNews sh.p.k. (NUI: 811928152)

Drejtor e kryeredaktor: Jeton Sopa. Gazetare: Beslinda Rexhepi.

Tel: 038 600 149, WA: +38346100004.

E: [email protected]

ADRESA: Rr. Rexhep Mala nr. 18/1 ° Prishtinë, 10060 ° RKS

MARKETING & PARAPAGIM:

Banner ° Reklamë ° Video produkcion

Parapagim: Pako 1 ° Pako 2

Shkruani në: [email protected]

LLOGARITË BANKARE:

1. TEB Bank Sh.A. (Kosovë)

Acc: Kosovanews shpk

No: 2011 0002 1188 9556

2. PaySera (EU, SEPA)

Acc: Kosovanews

No: LT273500010018388807

SWIFT: EVIULT2VXXX

Welcome Back!

Sign in to your account

Lost your password?