Liderët e grupimit G7 vendosën buqeta me lule në Memorialin e Paqes në Hiroshimë, paralelisht me zhvillimin e samitit që po zhvillohet në Japoni.
Hiroshima ishte viktimë e sulmit të parë me bombë atomike gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe ky memorial shërben për të kujtuar tmerret e luftës.
Sipas autoriteteve ukrainase, presidenti Volodymyr Zelensky do të bëjë një paraqitje në samitin e G7-s.
Me Ukrainën në krye të agjendës, Zelensky pritet të flasë me presidentin amerikan Joe Biden dhe liderë të tjerë botërorë për riafirmimin e mbështetjes kundër pushtimit rus të vendit të tij.
Grupi i përbërë nga 7 vende është zotuar se do të vendosë më shumë sanksione ndaj Rusisë dhe se do të qëndrojë i bashkuar përballë politikës së sertë të jashtme të Kinës.
Ndërkohë, disa qindra protestues mbushën rrugët e Hiroshimës për të kundërshtuar mbajtjen e samitit treditor.
Protestuesit mbanin banera ku thuhej “samiti imperialist”, bashkë me mesazhe të tjera kundër luftës në Ukrainë.
E ndërsa Kina do të dominojë bisedimet, shumë japonezë duan të parandalojnë një thellim të acarimit me fqinjin e tyre.



