Jeremy Fleming, ish-kreu i agjencisë britanike të inteligjencës GCHQ, tha se pasojat afatgjata të ofensivës ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës do të jehojnë jo vetëm në Evropë, por në mbarë botën.
Fleming paralajmëroi se grupet ekstremiste mund ta përdorin këtë konflikt për të radikalizuar të rinjtë.
Ai gjithashtu mirëpriti bashkimin e forcave të Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Kanadasë për të dënuar veprimet e Izraelit në Gaza.
Bëhet e ditur se të tre vendet kishin kërcënuar në fillim të kësaj jave “masa konkrete”, duke përfshirë sanksione të synuara, nëse Izraeli nuk ndalonte ofensivën e tij të fundit dhe nuk heq kufizimet për ndihmën humanitare, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, iu bashkua homologëve të tij francezë dhe kanadezë në paralajmërimin se “shkalla e vuajtjes njerëzore në Gaza është e padurueshme”, por deklaratat e tyre u dënuan ashpër nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.
Fleming tha se deklarata e përbashkët përdori “fjalët më të forta të mundshme”, por ai beson se një deklaratë e tillë erdhi shumë vonë.
“Unë mendoj se kjo është ajo që shumë nga bota kanë menduar për shumë kohë.”
Ndryshe, Fleming doli në pension si kreu i GCHQ në vitin 2023, pas gjashtë vitesh në këtë pozicion, dhe filloi karrierën e tij në komunitetin e inteligjencës në vitin 1993, kur iu bashkua MI5.
Në intervistë, ai u pyet nëse situata aktuale në Lindjen e Mesme mund të shërbejë si arsye për zgjerimin e rrjeteve terroriste në vende si Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Jam shumë i sigurt se do të jetë pjesë e procesit të radikalizimit për disa njerëz”, u përgjigj ai.
“Do të jetë një shkas shtesë, si të thuash, që do t’i shtyjë ata në rrugën drejt ekstremizmit të dhunshëm”, sipas Fleming.
“Pasojat afatgjata të këtij konflikti janë jashtëzakonisht të rënda. Dhe mungesa e një procesi politik e bën edhe më të vështirë durimin.”