Zjarri i cili shpërtheu sot në objektin e ETC-së në Klinë është lokalizuar dhe nuk ka pasur persona të lënduar.
Kështu bëri të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
Ai po ashtu tha se ka qenë rrezik i madh që zjarri të përhapej edhe tek një pompë e benzinës që është afër objektit.
Mirëpo siç tha ai, nga puna e mirë e zjarrfikësve të cilët kanë ardhur nga çdo komunë e Kosovës, zjarri është lokalizuar.
“Zjarri është lokalizuar dhe asnjë person nuk është lënduar. Ka qenë rrezik që edhe pompa e benzinës të merrte flakë, por për fat të mirë zjarrfikësit nga të gjithë qendrat e Kosovës kanë bërë një punë të mirë dhe kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin”, ka thënë Gashi.
Ai theksoi se tani ekspertët janë në vendngjarje duke punuar në zbardhjen e këtij rasti, ndërsa për dëmet Gashi tha se janë të mëdha.
Ndryshe, sot në orët e mëngjesit objekti i ETC-së në Klinë është përfshirë nga flakët.
Edhe afaristi i njohur dhe pronari i ELKOS Group, Ramiz Kelmendi në një prononcim për Telegrafin ka folur rreth ngjarjes që ka ndodhur sot tek objekti i ETC-së në Klinë.
Kelmendi tha se informacionin e zjarrit në objektin e ETC-së e kishte marr nga shefi i sigurimit.