Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se Ligji për pagat, si dhe Kodi Civil do të trajtohen në sesionin vjeshtor të Kuvendit të Kosovës.
Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kohë më parë kanë deklaruar se projektligji është në fazën e fundit të rihartimit dhe tashmë pas pushimeve të deputetëve, menjëherë në shtator pritet të trajtohet tutje.
Kusari-Lila gjatë një konference të mbajtur të hënën bashkë me deputetin Adnan Rrustemi, ka thënë se grupi parlamentar të cilin e përfaqëson është optimist që Projektkodi Civil do të kalojë në sesion vjeshtor.
“Ligji i pagave dhe kodi civil do të trajtohen në sesionin vjeshtor, bashkë me ligjin e pagave është edhe ligji për zyrtarët publikë, të dyja pritet të trajtohen, gjithashtu edhe kodi civil parashihet të përcillet në Qeveri dhe të vijë në Kuvend, po shpresoj në javët e para të sesionit vjeshtor, sipas informacioneve të Ministrisë së Drejtësisë. Sa i përket kodit civil është e vërtet se kemi mendime ndryshe… kemi filluar komunikimin dhe angazhimin nuk është një dokument që të thjeshtësohet në një çështje. Përkundrejt mendimeve ndryshe edhe në kuadër të grupit tonë parlamentar jemi optimist se Projektkodi Civil do të kalojë në këtë sesion vjeshtor”, ka thënë ajo.
Ligji i pagave është miratuar njëherë në shkurt të vitit 2019 dhe ka hyrë në fuqi muajin pasues. Por, një muaj para se të niste zbatimi i tij – në janar të 2020-ës – institucioni i Avokatit të Popullit e ka dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese për, siç ka thënë, “vlerësimin e përputhshmërisë” së tij me Kushtetutën e Kosovës.
Gjykata, më pas, ka konstatuar se ligji i miratuar nuk është në përputhje me 11 nene të Kushtetutës dhe se shkakton “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të Gjyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.
Ligji është shfuqizuar dhe që nga ajo kohë ka mbetur pezull, kryesisht për shkak të zhvillimeve politike, që kanë përfshirë disa palë zgjedhje në vend.
Por, tashmë ligji është rihartuar dhe sipas deklarimeve të sotme do të trajtohen në sesionin vjeshtor të Kuvendit të Kosovës./KosovaNews/