Ish-zyrtarët e lartë në Policinë e Kosovës, Nenad Gjuriq dhe Aleksandar Filipoviq, kanë plotësuar “kërkesat” e nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq, për çka më pas janë “shpërblyer”, tregojnë të dhënat e një institucioni të sigurisë në Kosovë.
Radoiçiq është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për shkak të dyshimit për përfshirje në krimin ndërkombëtar.
Gjithashtu, më 9 dhjetor, Britania e Madhe ka vendosur sanksione kundër tij, në kuadër të masave të saj kundër korrupsionit.
Lista Serbe e ka dënuar këtë veprim, me vlerësimin se bëhet fjalë për “shpifje”. “Është vërtetuar se [Radoiçiq] është patriot dhe bartës i rezistencës ndaj ‘pushtimit të veriut’ të Kosovës”, ka thënë Lista Serbe.
Të dhënat tregojnë, gjithashtu, se dy ish-zyrtarët e policisë, Gjuriq dhe Filipoviq, kanë qenë një lloj i “spiunëve” të Serbisë.
Nenad Gjuriq, ish-drejtor i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, është suspenduar nga detyra, pasi ka refuzuar të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e veturave me targa të paligjshme serbe.
Më pas, pjesëtarët e komunitetit serb në veri janë larguar nga të gjitha institucionet e Kosovës.
Filipoviq, ish-shef i operacioneve për rajonin e veriut, ka qenë i pari që ka hequr uniformën e tij me fjalët: “Mjaft ishte”.
Vendimi për tërheqje nga institucionet e Kosovës është marrë në koordinim me Listën Serbe, e cila është e afërt me autoritetet aktuale në Serbi dhe me presidentin e këtij vendi, Aleksandar Vuçiq.
Vuçiq ia ka dhënë Gjuriqit “Urdhrin e meritës për mbrojtje dhe siguri të shkallës së parë”, ndërsa Filipoviqit “Medaljen e artë për guxim – Milosh Obiliq”.