Lideri kryesor i Hamasit ka arritur në Kajro të mërkurën për të biseduar në lidhje me luftën në Gaza, ka thënë grupi militant në një komunikatë, raporton agjencia “AP’.
Vizita e Ismail Haniyehut erdhi një ditë pasi Hamasi lansoi raketa që ndezën sirenat në qendër të Izraelit, një shfaqje force pas mbi 10 javë bombardime të fuqishme izraelite e luftë tokësore që shkatërruan shumicën e veriut të Gazës. U dëbuan gati 1.9 milionë palestinezë – afro 85 për qind e popullatës – nga shtëpitë e tyre.
Izraeli u ka bërë thirrje pjesës tjetër të botës për ta futur në listën e zezë Hamasin, si grup terrorist dhe ka thënë se do të shënjestrojë liderët e Hamasit kudo që janë, si reagim ndaj sulmeve që ky grup bëri më 7 tetor në jug të Izraelit ku u vranë mbi 1200 persona e u morën rreth 240 pengje.
Ky sulm nxiti kundërpërgjigjen e Izraelit në Gaza. Nga bombardimet në Gaza, raportohet se kanë humbur jetën mbi 20 mijë persona dhe janë lënduar mbi 52 mijë.
Nuk pritet që Izraeli t’i acarojë marrëdhëniet me Egjiptin, që me vite ka shërbyer si ndërmjetësues kyç në konflikt dhe kishte bërë paqe me Izraelin mbi katër dekada më parë.
Egjipti, përkrah Katarit – ku besohet se jeton Haniyeh – kanë ndihmuar të dakordohet një armëpushim njëjavor në nëntor, gjatë të cilit Hamasi liroi mbi 100 pengje në këmbim të lirimit të 240 të burgosurve palestinezë.
Po negociohet për një armëpushim tjetër që të lirohen më tepër pengje që mbahen nga Hamasi, por dy palët duken larg nga marrëveshja.
Hamasi ka thënë se Haniyeh do të diskutojë me zyrtarët egjiptian në lidhje me luftën në Gaza, pasi ai ka arritur në Kajro. Ai nuk ka ofruar detaje.


