“Under a Feathered Sky”, i përkthyer në gjuhën shqipe, tani është para lexuesve edhe në Mbretërinë e Bashkuar. Ish-oficeri britanik, Ade Clewlow ka përmbledhur në një libër historinë e tij në Kosovë mbi ngjarjet e rëndësishme të viteve 2008-2009. Britaniku në atë kohë ishte me një mision operacional në vendin tonë.
Ish-ushtaraku ishte dëshmitar i një prej proceseve më të rëndësishme – shpërbërjes së Trupave Mbrojtëse të Kosovës, dhe krijimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Pasi përfundoi misionin e tij më 2009 në Kosovë, Clewlow u kthye në Britaninë e Madhe dhe gjashtë vjet më vonë e nxori librin “Under A Feathered Sky”.
Ndërkaq, në mars të këtij viti, librin e solli në shqip – “Nën një qiell me pupla” – në një promovim të mbajtur në Prishtinë.
Libri në gjuhën shqipe e pati promovimin edhe në Mbretërinë e Bashkuar, këtë javë.
Ngjarja u organizua nga Ambasada e Kosovës në Londër dhe aty morën pjesë përfaqësues të shumtë të diasporës shqiptare.
“Ky libër unik ofron një pasqyrë të thelluar mbi procesin e shuarjes së Trupave të Mbrojtjes së Kosovës dhe themelimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në periudhën 2008–2009. Autori, në mënyrë të veçantë dhe të ndjeshme, trajton sfidat dhe kompleksitetet e ndërtimit të institucioneve të sigurisë në Kosovë, në raport me përfshirjen dhe përgjegjësitë e institucioneve ndërkombëtare në këtë proces jetik për shtetin e Kosovës”, tha Ambasada përmes një postimi në Facebook.
Pas promovimit, Ade Clewlow theksoi rëndësinë e librit në gjuhën shqipe.
Libri i kushtohet popullit të Kosovës dhe tani libri mund të lexohet në gjuhën e tyre. Kjo më jep një knaqësi të madhe”, tha ish-oficeri britanik.
“Unë jam jashtëzakonisht mirënjohës për ambasadorin dhe atasheun e tij të mbrojtjes dhe gjithë stafin, për organizimin e një ngjarjeje kaq të madhe. Me autorin e njohur, Sir Noel Malcolm në audiencë, ishte një mbrëmje e paharrueshme”, shtoi ai.
Në promovimin e librit, të pranishëm ishin edhe shkrimtari i njohur Sir Noel Malcom, Aidan Hehir dhe Richard Parry.
Ade Clewlow, i ngarkuar me misione në shumë vende të botës, u gjend në Kosovë si kolonel-lejtënant në vitin 2008 – pak pas shpalljes së pavarësisë.
Ai ishte i ngarkuar me detyra operacionale për gjashtë muaj dhe pa prej afër procesin e shpërbërjes së Trupave Mbrojtëse të Kosovës, si dhe krijimin e Forcës së Sigurisë së Kosovë që u bë në janar të vitit 2009.
Përvojën e tij në Kosovë e ruajti edhe të shkruar, të cilën më vonë do ta titullonte “Under a Feathered Sky: Role in the Newly Independent Kosovo” (Nën një qiell me pupla: Historia e parrëfyer e rolit të NATO-s në Kosovën e pavarësuar rishtas).