Ministri i Punëve të Jashtme të Çekisë, Jan Lipavský, sot do të vizitojë Kosovën.
Kryediplomati çek do të pritet në takim nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu.
Po ashtu edhe zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi do të zhvillojë një takim me kryediplomatin çek.
Pas takimit, zëvendëskryeministri Bislimi dhe Ministri i Jashtëm Lipavský, në orën 11:00, do të mbajnë konferencë të përbashkët për media.
Presidenca çeke e BE-së do ta rihapë diskutimin për liberalizimin e vizave për Kosovën këtë vjeshtë, ka konfirmuar ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavský, i cili tha se do të vijë këtë javë në Prishtinë, përcjell KosovaNeës.
Para se të vizitojë Kosovën, Lipavsky ka thënë se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të rihapet gjatë presidencës çeke të Bashkimit Evropian.
Kjo temë duhet të diskutohet këtë vjeshtë sapo Komisioni Europian ta finalizojë versionin e përditësuar të raportit të tij për gatishmërinë e Kosovës për heqjen e vizave.
Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor dhe në gjithë Europën që nuk gëzon liberalizimin e vizave edhe pse i ka plotësuar kushtet që prej disa vitesh. ‘Zbrapsja’ thuhet se vjen nga Franca, por edhe një pjesë e vogël e vendeve që nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës, duke përfshirë Greqinë, Rumaninë, Spanjën, Qipron dhe Sllovakinë.
