Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës deklaroi te enjeten se LDK e vlerëson dakordimin e mbrëmshëm për targat, të arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së dhe me mbështetjen e ShBA-ve.
Sipas tij, rruga e vetme që garanton suksesin e Kosovës është bashkërendimi i ngushtë dhe i përhershëm me partnerët strategjikë, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Megjithatë, në reagimin e tij Abdixhiku në emër të LDK-së ka thënë se është e panevojshme dhe e dëmshme e gjithë “drama populliste” e krijuar nga institucionet e vendit ditëve të fundit.
“LDK-ja e ka parë si tërësisht të panevojshme dhe të dëmshme gjithë dramën populliste të krijuar nga institucionet kryesore të vendit gjatë ditëve dhe javëve të fundit. Kthimi dhe pranimi i marrëveshjes së njëjtë, pas gjithë dramës së shkaktuar, tregon joseriozitetin e drejtuesve aktualë të shtetit në përballje me përgjegjësitë e larta shtetërore. Kjo sjellje, përveç se ka lënduar marrëdhëniet e Kosovës me institucionet ndërkombëtare dhe shtetet mike, për të cilat Kosova ka nevojë, ka bllokuar dhe proceset kryesore integruese të vendit.”, ka shkruar Abdixhiku.
LDK-ja tutje u ka bërë thirrje institucioneve të vendit që të jenë transparente për procesin e dialogut politik, nëpërmjet raportimit në Kuvend përpara përfaqësuesve të zgjedhur.


