Aktivisti i shoqërisë civile, Visar Azemi, ka aderuar në Lidhjen Demokratike të Kosovës, ka njoftuar kryetari i këtij subjekti politik, Lumir Abdixhiku.
Abdixhiku e ka cilësuar Azemin si person me “bagazh të jashtëzakonshëm vlerash e përvojash”.
“Visari është inxhinier i diplomuar në Universitetin e Prishtinës, në fushën e Sistemeve Elektroenergjetike. Ai ka vazhduar më pas studimet postdiplomike në Univeristy of Maryland Global Campus, në drejtimin e Menaxhimit Ndërkombëtar Financiar. Visari shërbeu dhe si ligjërues në lëndët e Algjebras dhe Shkencave Kompjuterike për Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nëpër baza të ndryshme ushtarake në botë. Përgjatë dhjetë viteve të shkuara, Visar Azemi shërbeu si aktivist i shoqërisë civile, me angazhim të gjerë në fushën e energjisë së ripërtëritshme, integrimin e tregut energjetik, ekonomisë qarkore dhe tranzicionit energjetik në gjithë Ballkanin Perëndimor. Së fundmi, ai shërbeu edhe si Drejtor Ekzekutiv i Balkan Green Foundation. Përgjatë kësaj kohe, ai ka qenë autor i një numri të madh studimesh e publikimesh mbi energjinë e qëndrueshme në Kosovë dhe rajon”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook teksa ka prezantuar Azemin.
Aderimin e Azemit në LDK, Abdixhiku e ka cilësuar si vlerë për partinë.
“Ai bëhet pjesë e profesionistëve më të mirë të vendit që zgjedhin të lënë komfortin jetësor për angazhim vullnetar politik. Me profesionistë e njerëz të tillë, dhe të tjerë që do të na bashkohen në vijim, e ardhmja e LDK-së është e sigurt; e nga aty dhe e ardhmja e Republikës së Kosovës”, ka shtuar Abdixhiku.