Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Vushtrri ka reaguar pas marrëveshjes së kandidatit të saj, Xhafer Tahiri, me Lëvizjen Vetëvendosje për balotazhin në këtë komunë.
Në një postim në rrjetet sociale, LDK – Vushtrri ka theksuar se vendimi është marrë në interes të qytetarëve, duke theksuar se marrëveshja nuk ndikon në gara të tjera komunale.
“Qyteti ynë ka nevojë për ndryshim! Vendimet e mëdha nuk janë asnjëherë të lehta, por pavarësisht kostove individuale, për ne një gjë është e qartë – interesi i qytetarëve dhe i Vushtrrisë është mbi gjithçka. Marrëveshja jonë nuk afekton asnjë garë tjetër përveç Vushtrrisë”, thuhet në reagimin e degës së LDK-së.
Në këtë postim, LDK-ja lokale ka theksuar se marrëveshja është bërë në bashkëpunim me asambleistët e zgjedhur të partisë dhe se është bërë “me ndershmëri e dashuri për qytetin”.
“Së bashku me asambleistët e zgjedhur të LDK-së, dje jemi besatuar para Zotit që do ta sjellim këtë ndryshim. Me ndershmëri, punë dhe dashuri për qytetin tonë”, thuhet më tej.
Reagimi i degës së LDK-së në Vushtrri vjen pasi që kryesia qendrore e partisë njoftoi se marrëveshja e Tahirit me Vetëvendosjen është bërë pa autorizimin e partisë dhe se ndaj këtij veprimi do të ndërmerren masa statutare.


