Lidhja Demokratike e Kosovës ka iniciuar themelimin e një Komisioni Parlamentar për të hetuar procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, pas arrestimit të dy zyrtarëve dhe një biznesmeni për furnizim me rezerva shtetërore të vitit 2022.
Në një njoftim në Facebook, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka njoftuar se janë dorëzuar nënshkrimet për themelimin e këtij komisioni.
“Çka është bërë me rezervat shtetërore? Kush, kur, ku, pse dhe si janë përfshirë në këto procese dhe cili është epilogu i veprimeve të tyre? A kanë qenë kontratat konform ligjit dhe a i kanë kryer palët detyrimet sipas atyre kontratave? Është koha e fundit që të gjithë t’i dorëzojnë faktet e të dorëzohen para të vërtetës së domosdoshme. Shteti dhe shoqëria kanë nevojë që të dinë të vërtetën!” ka shkruar ai.
Dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë dhe një biznesmen u arrestuan në mes të gushtit nën dyshimet për dallavere me blerjen e rezervave shtetërore. Fillimisht atyre iu caktua masa e paraburgimit, ndërsa më pas Apeli pranoi ankesat e tyre dhe i liroi për t’u mbrojtur në liri.
Që nga arrestimi, opozita në vazhdimësi ka kërkuar largimin e ministres Rozeta Hajdari.
Gjykata e Apelit ka konstatuar se Gjykata Themelore në Prishtinë nuk kishte arritur të vërtetojë dyshimin se Irfan Lipovica, Haviz Gara dhe Ridvan Muharremi kanë krye kryer veprat penale për të cilat dyshohen.
Sipas gjetjeve të Apelit, paraburgimi i tyre ishte i paligjshëm për faktin se nuk ishte arritur të argumentoheshin fuqia provuese e provave me veprimet e të pandehurve.
“Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, pretendimet e mësipërme ankimore janë të bazuara, ngase në aktvendimin e ankimuar gjykata e shkallë së para nuk ka arritur që të vërtetoj dyshimin e bazuar së të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen, e për të cilat është kusht primar për ligjshmërinë e paraburgimit”, thuhet në gjetjet e Gjykatës së Apelit.
Një ditë pasi ishin arrestuar tre të dyshuarit, më 19 gusht Gjykata Themelore në Prishtinë ua kishte caktuar nga një muaj paraburgim dy zyrtarëve Haviz Gara dhe Irfan Lipovica si dhe biznesmenit Ridvan Muharremi që ishin arrestuar për aferën e rezervave shtetërore.
Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë s’ka dhënë vlerësim dhe arsyetim për faktet të cilat janë paraqitur në kërkesën për paraburgimin e LIpovicës, Garës e Muharremit.


