Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar sot se Gëzim Kasapolli, një nga emrat më të njohur të diplomacisë dhe procesit të integrimit evropian në vend, i është bashkuar LDK-së.
Abdixhiku e ka cilësuar Kasapollin si një profesionist me përvojë të jashtëzakonshme në institucionet vendore dhe ndërkombëtare, duke theksuar rolin e tij kyç në procese shtetformuese dhe në avancimin e agjendës evropiane të Kosovës.
Kasapolli ka shërbyer si Ambasador i Republikës së Kosovës në Kroaci, ku ka përfaqësuar vendin në njërin prej kryeqyteteve më të rëndësishme të Bashkimit Evropian. Po ashtu, ai ka mbajtur pozita të larta në procesin e integrimit evropian, si Zëvendësministër dhe Ministër në detyrë i Integrimit Evropian, ku ishte një nga figurat kryesore në nisjen dhe negociimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA).
Gjatë karrierës së tij, Kasapolli ka qenë edhe Këshilltar Politik në Kuvendin e Kosovës dhe ka luajtur rol të rëndësishëm në komunikimin me institucionet e BE-së dhe diplomacinë ndërkombëtare, përfshirë bashkëpunimin me të dërguarin special të OKB-së, Kai Eide, në procesin drejt pavarësisë së Kosovës.
“LDK fiton një kuadër të ri që beson në vlerat tona, në vizionin evropian të vendit dhe në forcimin e institucioneve,” ka deklaruar Abdixhiku, duke shtuar se ardhja e Kasapollit është një sinjal për bashkim rreth profesionalizmit dhe seriozitetit për të gjithë ata që kërkojnë ndryshim politik në vend.
“Mirë se vjen, Gëzim Kasapolli! Paç shëndet, forcë dhe përkushtim në këtë etapë të re të angazhimit tënd për Republikën,” ka shkruar ai.


