Zëvendësdrejtori në Qendrën e Paraburgimit Gjilan Fidan Hasani është larguar përfundimish nga kjo detyrë , përveç kësaj Hasanit i është shqiptuar masa disiplinore “LARGIM NGA SHËRBIMI CIVIL”
Kjo masë e ashpër disciplinore ka ardhur si pasojë përgjegjësive që ka pasur Fidan Hasani në rastin e trajtimit dhe vëzhgimin e të burgosurve me sëmundje mendore.
Në dhjetor të vitit të kaluar një i burgosur humbi jetën në burgun e Gjilanit duke bërë vetëvrasje, menjëherë pas kësaj ishte aktivizuar Shërbimi Korrektues i Kosovës duke e pezulluar nga puna drejtorin e burgut Shefik Sylejmanin dhe zëvendësin e tij Fidan Hasani.
Në vendimin të cilin e ka siguruar KosovaNews thuhet se komisioni disiplinor ka filluar hetimet ndaj Fidan Halitit me datë 13.12.2022 nën dyshimin se ka kryer shkelje të rëndë disiplinore dhe nuk i ka kryer detyrat me përgjegjësi në bazë të obligimeve ligjore.

Pas fillimit të hetimeve është vërtetuar se 7 të burgosur me probleme të shëndetit mendor nuk janë mbajtur nën vëzhgim dhe kujdes të shtuar sipas rekomandimeve mjekësorë për shkak të rrezikut se të njëjtit mund të vete lëndohen apo të vetëvriten. Për këtë Fidan Hasanit i ishte paralajmëruar edhe më herët dhe komisioni ka konstatuar se masat disciplinore të shqiptuara ndaj z.Hasani nuk kanë ndikuar që ai punën ta bëj me përgjegjësi. Hasani është shpallur përgjegjës për mos përmbushjen e detyrave të punës lidhur me rastin e vdekjes së të burgosurit B.E i cili kishte bërë vetëvrasje dhjetorin e vitit të kaluar në burgun e Gjilanit thuhet ndër të tjera në vendimin e komisionit disiplinor për largimin e Fidan Hasanit nga puna përfundimisht.


