Emisari i Bashkimit Evropian për dialog, Mirosllav Lajçak ka pas takimeve në Bruksel me kryenegociatorin e Kosovës dhe atë të Serbisë, ka thënë së në takimet bilateral është folur për një zgjidhje të përkohshme për ata që janë më të prekur nga vendimi i BQK-së.
Emisari Lajçak në “X” ka shkruar se palët kanë rënë dakord që të vazhdojnë përpjekjet javën e ardhshme bazuar në propozimet konkrete të tekstit.
“Sot prita një sërë takimesh bilaterale me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për të vazhduar diskutimin tonë për një zgjidhje të përkohshme për ata që janë më të prekur nga vendimi i BQK-së. Palët ranë dakord të vazhdojnë përpjekjet tona javën e ardhshme bazuar në propozimet konkrete të tekstit”, ka shkruar ai.
Në Bruksel sot ka përfunduar edhe një raund negociatash vendimin e BQK-së në nivel kryenegociatorësh, por pa asnjë rezultat. Në këtë raund nuk ka pasur takim të përbashkët, ndërsa kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi e ka quajtur “takim koti”.
Bislimi, ka theksuar pas takimit se pala serbe nuk ka ardhur me ide se si të trajtohet propozimi fillestar i të dërguarit të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak. “Ata kanë paraqitur propozimin e tyre”, ka thënë Bislimi.
Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka theksuar se Beogradi bëri gjithçka për të gjetur një zgjidhje. “Ne dolëm me një propozim konstruktiv dhe ai propozim u vlerësua nga Brukseli, pra Lajçak, si një bazë shumë e mirë për vazhdimin e bisedimeve”, ka thënë ai.