I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialog në mes të Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak do të qëndrojë të enjten për vizitë zyrtare në Kosovë.
Ai do të pritet në takim nga krerët shtetërorë.
Së pari do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Sipas njoftimit për media thuhet se takimi mes Osmanit e Lajçakut do të nis në orën 14:10.
Ndërkaq pas dy ore pritet të takohet me kryeministrin Albin Kurti.
Sipas njoftimit takimi pritet të ndodhë në orën 16:00.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák VENDI: Ndërtesa e Qeverisë KOHA: 16:00”.
Tutje thuhet se mediet mund të marrin pamje në oborr.
Pas Prishtinës Lajçaku pritet ta vizitojë edhe Beogradin.
Kjo është vizita e parë e tij në Kosovë e Serbi, që nga takimi i 27 shkurt në mes të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, që u mbajt në Bruksel.
Pas atij takimi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati thënë se ai ishte i gatshëm të firmoste dakordimin për propozimin evropian porse, sipas tij, pala serbe ka refuzuar.
E presidenti i Serbisë, Vuçiq, pati deklaruar se nuk është arritur asgjë, meqë Kurti ka refuzuar Asociacionin. Megjithatë, për zyrtarët e BE-së takimi ka qenë i suksesshëm.
Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, kishte thënë se të dy liderët janë pajtuar se më nuk ka nevojë për diskutime për propozimin e BE-së dhe se ata kanë shprehur gatishmërinë të vazhdojnë me implementimin e marrëveshjes pas diskutimeve për modalitetet e dispozitave të saj.
Takimi i radhës në mes të Kurtit e Vuçiqit pritet të mbahet më 18 mars në Maqedoninë e Veriut.