Kuvendi i Kosovës e ka miratuar një Rezolutë përmes së cilës e dënon sulmin terrorist të së dielës në Banjskë të Zveçanit, ku si pasojë një rreshter i Policisë së Kosovës humbi jetën.
Kështu ka bërë të ditur kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili kumtoi se nga 97 deputetë të pranishëm të gjithë kanë votuar për Rezolutën, asnjë nuk ka qenë kundër dhe nuk pati asnjë abstenim.
Seanca e 28 shtatorit në Kuvend ka nisur me një minutë heshtje në nderim të zyrtarit policor të vrarë Afrim Bunjaku – tashmë të shpallur hero.
Në prezantim të rezolutës, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se ky institucion e dënon sulmin ndaj Policisë së Kosovës në termat më të ashpër, “sulmin terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë mbi Policinë e Kosovës dhe kërkon nga komuniteti ndërkombëtar që ta ushtrojë ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë me rolin e saj në raport me organizimin dhe çfarëdo mbështetjeje që i ka bërë grupit terrorist për sulmin në veri të Republikës së Kosovës”.




