Gjykata Kushtetuese nuk do të marrë parasysh kërkesën e presidentes Vjosa Osmani për vendosjen e masës së përkohshme për ndalimin e rrjedhjes së afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, thotë, ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu.
Derisa kanë mbetur edhe tri ditë në skadimin e këtij afati, ai thotë se e para e vendit është vonuar në adresimin e kësaj çështjeje në institucionin më të lartë juridik në vend. Përkitazi me këtë, sipas tij, Kushtetuesja përveç specifikimit të pasojave juridike me rastin e mos konstituimit të Kuvendit deri më 26 korrik, kërkesat e tjera të presidentes nuk do t’i shqyrtojë fare.
Presidentja Vjosa Osmani të martën iu drejtua Kushtetueses, mes tjerash për të kërkuar masë të përkohshme për ndalimin e rrjedhjes së afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, ku në bazë të aktgjykimit të Kushtetueses janë obliguar deputetët që deri më 26 korrik të zgjedhin trupat e Kuvendit, por pa specifikuar pasojat juridike.
Mirëpo, pavarësisht kësaj, deputetët nuk po arrijnë assesi të konstituojnë legjislaturën e nëntë, ku dështuan të mërkurën për herë të 51-të për ta arritur këtë qëllim.
Krahas kësaj, e para e vendit ka kërkuar nga Kushtetuesja të shqyrtojë konfliktin e kompetencave kushtetuese të krijuara nga mungesa e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Por, Kryeziu thotë se masa e përkohshme e kërkuar nga presidentja Osmani bie ndesh me vetë aktgjykimin e 26 qershorit të Kushtetueses, pasi sipas tij i bie të demolohet vendimi i tyre.
Sidoqoftë, ai deklaron se kërkesa drejtuar Kushtetueses vetëm katër ditë para skadimit të afatit 30-ditor për konstituim të Kuvendit është e vonuar nga ana e presidentes Osmani, pasi sipas tij është dashur të veprojë më herët.
Përkitazi me këtë, Kryeziu thekson se nëse s’ka konstituim të Kuvendit deri më 26 korrik, presidentja në koordinim me Gjykatën Kushtetuese dhe Komisionin Qendror Zgjedhor, në bazë të praktikave parlamentare në shtetet evropiane duhet t’ua marrë mandatin deputetëve dhe të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Sa i përket deklarimeve të partive që deri tani ishin në opozitë, ku theksohet mundësia që Kushtetuesja t’ia marrë të drejtën Lëvizjes Vetëvendosje si partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit, Kryeziu thotë se një gjë e tillë është e pamundur pasi e njëjta është e garantuar me Kushtetutë.
Kosova nuk ka themeluar institucionet e reja, përkundër që zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt. Gjykata Kushtetuese më 26 qershor ka obliguar deputetët e Kuvendit të Kosovës që të konstituojnë legjislaturën e nëntë deri më 26 korrik, mirëpo nuk ka specifikuar pasojat juridike nëse nuk ndodh një gjë e tillë. Deputetët e zgjedhur të premten do të tentojnë për herë të 52-të për konstituimin e Kuvendit. /kp/


